Presidenti Begaj dekreton ligjin për rivlerësimin e pasurive, por zbatimi praktik nuk pritet të nisë në janar
Dritare.net

Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tatim të reduktuar 5% është dekretuar sot nga Bajram Begaj, duke i dhënë fund një pasigurie ligjore që kishte pezulluar nisjen e procesit që prej fillimit të vitit 2026. Megjithatë, pavarësisht dekretimit, zbatimi praktik i rivlerësimit mbetet ende larg, ndërsa afati real në dispozicion të qytetarëve pritet të ngushtohet ndjeshëm.
Sipas procedurës kushtetuese, dekreti i Presidentit duhet fillimisht të botohet në Fletoren Zyrtare. Vetëm pas këtij botimi nis edhe llogaritja e afatit ligjor prej 15 ditësh, pas të cilit ligji hyn zyrtarisht në fuqi. Kjo do të thotë se, edhe në skenarin më optimist, hyrja reale në fuqi e Ligjit nr. 85/2025 do të zhvendoset përtej muajit janar.
Ndërkohë, edhe pas hyrjes formale në fuqi, procesi i rivlerësimit nuk do të mund të zbatohet menjëherë. Ligji ngarkon Ministria e Financave dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencia Shtetërore e Kadastrës me nxjerrjen e një udhëzimi të përbashkët, i cili duhet të miratohet brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Ky udhëzim do të përcaktojë në detaje procedurat e zbatimit, përfshirë llogaritjen e bazës së tatueshme, mënyrën e paraqitjes dhe administrimit të kërkesës për rivlerësim, pagesën e tatimit 5%, pasqyrimin e vlerës së re në regjistrat e pasurive të paluajtshme, si dhe tarifat e shërbimeve që do të aplikojë Kadastra.
Në këtë kontekst, NAREA, e kontaktuar nga Ekofin.al, vlerëson pozitivisht dekretimin e ligjit nga Presidenti, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për zhbllokimin e procesit. Megjithatë, shoqata shpreh keqardhje se koha reale në dispozicion të qytetarëve për të përfituar nga rivlerësimi do të jetë më e kufizuar sesa ishte parashikuar fillimisht. Sipas përllogaritjeve të Ekofin.al, për shkak të procedurave ligjore dhe nënligjore, muaji janar praktikisht do të humbasë, duke reduktuar ndjeshëm periudhën efektive të aplikimit.
NAREA është shprehur më herët se vonesat krijojnë vështirësi konkrete për mijëra familje dhe operatorë të tregut, në një kohë kur rreth 500 mijë familje shqiptare janë të interesuara për të rivlerësuar pasurinë sipas vlerës së tregut, ndërsa mbi 5300 kontrata aktive “Premtim Shitje” vijojnë të mbeten të bllokuara në pritje të këtij procesi.
Në pritje të botimit të dekretit në Fletoren Zyrtare dhe më pas të udhëzimit të përbashkët, tregu imobiliar mbetet edhe për disa javë të tjera në një fazë pritjeje, ndërsa pritshmëritë janë që institucionet përgjegjëse të veprojnë me shpejtësi për të mos e kthyer një instrument të shumëpritur fiskal në një proces të vonuar dhe me efekt të kufizuar në praktikë.