Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump urdhëron tërheqjen e 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania!

Trump urdhëron tërheqjen e 5 mijë trupave amerikane nga

Pentagoni do të tërheqë 5.000 ushtarë amerikanë nga Gjermania. Një pjesë e trupave që do të largohen nga Evropa do të kthehen në Shtetet e Bashkuara dhe më pas do të dislokohen diku tjetër, tha një zyrtar amerikan për CBS.

Vendimi vjen pas kritikave të ndërsjella mes dy liderëve lidhur me qasjen ndaj luftës me Iranin. Trump sulmoi ashpër Merz në rrjetet sociale, duke e akuzuar për “punë të tmerrshme” dhe për dështime në politikat e brendshme, përfshirë emigracionin dhe energjinë.

Nga ana tjetër, Merz kishte deklaruar më herët se SHBA-të “nuk kanë strategji të qartë” dhe madje sugjeroi se vendi ishte “poshtëruar” nga negociatorët iranianë.

Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell, urdhri për tërheqje është dhënë nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pas një rishikimi të plotë të pozicionimit të forcave amerikane në Evropë.

Tërheqja pritet të realizohet brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm.

Aktualisht, SHBA-të kanë mbi 36,000 trupa të stacionuara në Gjermani, duke e bërë atë vendin me praninë më të madhe ushtarake amerikane në Evropë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre ndodhet në bazën ajrore Ramstein.

Trump ka paralajmëruar gjithashtu se mund të shqyrtojë tërheqjen e trupave edhe nga Italia dhe Spanja, duke i kritikuar këto vende për mungesë mbështetjeje në operacionet e lidhura me konfliktin në Iran.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për marrëdhëniet transatlantike dhe për rolin e NATO, ndërsa SHBA po rishikon angazhimin e saj ushtarak në Evropë dhe po zhvendos fokusin drejt rajonit Indo-Paqësor.