Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

U kapën në një restorant, kush janë 7 të arrestuarit në Durrës, 3 me rrezikshmëri të lartë!

U kapën në një restorant, kush janë 7 të arrestuarit

Drejtori i Policisë Vendore të Durrësit, Vilson Bala, në një konferencë për mediat, bëri me dije se 7 persona janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Enigma”. Ndalimi i disa prej tyre u bë i mundur në një restorant në Gjirin e Lalzit. Mes të arrestuarve janë edhe Xhevdet Plaku, Flobens Mecia, Voltan Xhani, Jugert Xhani.

Xhevdet Plaku, i njohur edhe me nofkën “Akili”, u arratis në janar të këtij viti në burgun e Ankokas në Itali, ku po vuante dënimin për trafik droge. Atij iu gjet një pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Në pranga ka rënë edhe Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43-vjeç, Voltan Xhani, 39-vjeç, dhe Jugert Xhani, 35-vjeç.

Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ky shtetas është arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025 dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;

Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;

Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë, pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje;

Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;

O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”

Po gjatë operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera. “, njoftoi policia./L.F-dritare.net