Zbardhet dosja/ Arnold Rrokaj tregon si i hakeroi kompjuterët e SPAK
Dritare.net

Zbardhet dosja e SPAK për Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismailin, ky i fundit ish kreu i Burgjeve, të cilët akuzohen se kanë hakeruar kompjuterët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Arnold Rrokaj ka treguar të gjithë ‘rrugëtimin’ që ka ndjekur, deri sa ka arritur që të ‘zbërthejë’ kompjuterët e SPAK.
“Kam qenë në banesë duke luajtur me telefonin tim personal, dhe po bëja disa skanime në një faqe online në rrjet, konkretisht, kjo faqe online, të cilat merren me skanimin e domain-eve, për të parë nëse ka ndërfaqe të tjera, nën faqe kryesore.
Kjo përdoret nga ekspertët e IT-së, për testimin e portave në rrjet. Pasi kisha provuar disa adresa, kam provuar faqen spak.gov.al. Veprim të cilin e kam bërë vetëm i shtyrë nga kurioziteti se çfarë kishte. Pasi kam provuar këtë faqe nga telefoni, më janë shfaqur tre ose katër ndërfaqe të tjera, të cilat ishin autodiscover.spak.gov.al, e shoqëruar dhe me numrin përkatës të IP-së, e dyta ishte mail.spak.gov.al dhe e treta ka qenë spak.gov.al.
Pasi i kam provuar, është hapur vetëm spak.gov.al. Më pas më është shfaqur një faqe email-i, ku më kërkonte kredencialet për të hyrë. Kam provuar disa kredenciale, konkretisht me emrat e prokurorëve të SPAK, pasi emrat e tyre ishin të afishuar në faqen zyrtare të SPAK. Pasi kam provuar disa prej tyre, është arritur të hapet përdoruesi me emrin elida.kackini, me fjalëkalim Spak@2019.
Pasi u hap, i shtyrë nga kurioziteti, kam provuar dhe të tjerë përdorues, si për shembull behar.dibra, me fjalëkalim Spak@2019, dhe gjithashtu përdoruesin me emër enkelida.millonai, me fjalëkalim Spak@2019.
Pasi këto tre janë hapur, i shtyrë nga kurioziteti, kam filluar duke parë materialet që ishin të dërguara dhe marrë në email-et e këtyre përdoruesve. Këto materiale, janë ruajtur në aparatin tim celular, të cilin ja kam vënë në dispozicion oficerëve të policisë gjyqësore, në folder-in download, në të cilin ka patur dhe materiale të tjera të shkarkuara, të cilat i kam fshirë.
Disa prej këtyre materialeve që kam shkarkuar, kam komunikuar me një shokun tim me emrin Zambak Gjoni, të cilit i kam dërguar disa prej këtyre materialeve. Kryesisht i kam dërguar disa informacione që janë bërë publike dhe në media. Këto materiale janë relacione, informacione të përpiluara nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit apo dhe të prokurorëve.
Këto materiale nuk i janë dërguar ndonjë personi tjetër, për arsye se kanë qenë tepër sensitive dhe të klasifikuara. Pastaj e kam kontrolluar herë pas here gjendjen e të tre përdoruesve, dhe kur kam gjetur të dhëna të tjera, i kam hapur, i kam lexuar, dhe më pas i kam fshirë.
Dua të ritheksoj faktin se këto materiale nuk jam kam dërguar njeriu tjetër përveç se shtetasit Zambak Gjonit dhe gjithashtu i kam administruar vetë. Gjithashtu dua të sqaroj faktin se për herë të fundit e kam kryer këtë veprim dje në mëngjes ose pardje, pra kam aksesuar adresën email behar.dibra, në të cilën vetëm lexova disa materiale, të karakterit të punës së përditshme rutinë, si relacione, informacione etj”, ka deklaruar ai./K.C/dritare.net