Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 28.65% e qytetarëve! Pjesëmarrja rritet krahasuar me 9 shkurtin!
Dritare.net

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime ka arritur në 28.65%.
Nga 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 572 mijë e 723 qytetarë. Këto të dhëna janë përpunuar nga 97.15% e vendvotimeve, sipas publikimit në faqen zyrtare të KQZ-së.
Në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, deri në këtë orë kanë votuar 14 mijë e 477 qytetarë më shumë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se në zgjedhjet e 9 shkurtit, deri në orën 15:00, pjesëmarrja ishte 28.32%.
“Në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e shkurtit, nga rreth 91% e vendvotimeve të përpunuara, kishin votuar 558 mijë e 246 qytetarë”, ka deklaruar Radoniqi.
Ai ka njoftuar gjithashtu se gjatë procesit zgjedhor janë raportuar disa probleme me furnizimin me energji elektrike.
“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në tre qendra votimi në Skenderaj, dy në Malishevë, si dhe nga një qendër në Novobërdë dhe Obiliq. Për këto raste është njoftuar KEDS-i, i cili ka ndërmarrë masa dhe energjia është rikthyer shumë shpejt”, ka thënë Radoniqi.