Na ndiqni edhe në

Sport

Sylvinho: Polonia, prova kyçe e Shqipërisë drejt Botërorit 2026

Sylvinho: Polonia, prova kyçe e Shqipërisë drejt

Teksa bota e futbollit nis gradualisht të fokusohet te Kupa e Botës 2026, një detaj i veçantë ka tërhequr vëmendjen e mediave braziliane: Sylvinho mund të jetë i vetmi trajner brazilian në pankinën e një kombëtareje evropiane, në një kohë kur vetë Brazili drejtohet nga italiani Carlo Ancelotti. Ky kontrast simbolik ka ngjallur interes në vendin ku futbolli është pjesë e identitetit kombëtar.

Në një intervistë ekskluzive për podcast-in e ESPN Brasil, trajneri i Kombëtares Shqiptare ka folur për objektivat, sfidat dhe mundësinë historike që Shqipëria ka për të siguruar një vend në Botërorin e ardhshëm.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për gjithë vendin. Që nga Europiani kemi pasur shorte të vështira, por sfidat janë pjesë e rrugës për të arritur objektivat tona,” u shpreh Sylvinho. Ai zbuloi gjithashtu se stafi teknik do të intensifikojë vëzhgimin e lojtarëve: “Nga janari do t’i ndjekim më nga afër, duke qenë të pranishëm në disa ndeshje për të parë nga afër performancat e tyre.

Rruga drejt Botërorit kalon nga një përballje vendimtare. Kuqezinjtë do të sfidojnë Poloninë më 26 mars në Varshavë, në gjysmëfinalen e “playoff”-it. Në rast fitoreje, Shqipëria do të luajë finalen vendimtare më 31 mars ndaj fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi, për një biletë historike drejt Kupës së Botës

Sylvinho vlerëson se përballje të tilla vendosen nga detajet më të vogla. “Poloninë e njohim mirë, kemi luajtur me ta kohët e fundit. Kanë ndërruar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe me shumë cilësi. Ata janë në fazë rindërtimi, ndërsa ne në një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të qartë — gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutash.”

Në fund, trajneri brazilian shfaqi besim të plotë te skuadra e tij: “Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të forta. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”

Shqipëria është vetëm dy ndeshje larg një ëndrre të madhe. Dhe Sylvinho, në një rol unik në futbollin europian, synon ta bëjë historinë realitet./K.C/dritare.net