

Nga Ermal Peçi
Ajo që ndodhi sot në sallën e parlamentit ishte një turp i radhës në botëkuptimin tonë ndaj institucioneve. Respektimin e ligjeve dhe detyrimet që ne kemi si individë ndaj institucionit. Në PD përplasjet dhe fraksionet mesa duket nuk kanë në asnjë moment të ndalur, por situata e sotme tregoi edhe njëherë se çfarë prodhon mungesa e garës në një parti politike.
Jo vetëm që e vret njeriu politik, por prodhon dhe karaktere të dobët, ata, të cilët mendohen se do jenë shtetarët e kombit, dalin vetëm disa njerëz, të cilët zgërdhihen me një vendim, i cili u miratua në Këshillin Kombëtar të PD-së në datën 2 shtator. Ku për arsye të përçarjes së madhe u vendos që kryetari i PD-së të vendoset njëkohësisht dhe kryetar i grupit parlamentar. Gjuha e vjetër politike, me epitete të pengmarrjes dhe me gjuhë folklorike që këtu nuk vendos dot Edi Rama, sa vjen edhe e kthen më qesharake farsën e betejës me regjimin.
Lulzim Basha po korr sot farën e asaj që mbolli në atë parti, ku fatkeqësisht nuk vendoste i vetëm, por kusuret po i mban ai mbi supe edhe pse ka më shumë se 1 vit që mori aktin për të larguar Sali Berishën nga partia si pasojë e vendimit të partnerëve tanë strategjikë për ta shpallur non grata.
Sot grupimet kundër Bashës treguan edhe njëherë se ata nuk i njohin institucionet sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë që grupi parlamentar t`i mbivendoset Këshillit Kombëtar apo kryesisë së partisë, është një rast i paprecedent, i cili po ndodh në Shqipëri, si një rast sui generis.
Prandaj ato të qeshura sot nuk ishin për Lulzim Bashën, ato ishin të qeshura për ju, për ju që keni sakrifikuar edhe për ju që mendoni se PD duhet të ecë përkrah partnerëve strategjikë për të sjellë një politikë ndryshe. Ata sot qeshën me ju dhe jo me Lulzim Bashën./dritare.net

















