Nga Ermal Peci
Pavarësisht se politikën për interesa të tyre "mamuthët e pushtetit" duan ta paraqesin sikur nuk ka moral, shqiptarët duhet të kuptojnë se në këtë jetë morali dhe qëndrimet janë vlera të pazëvendësueshme në një shoqëri. Njësoj si mirënjohja, e cila është një virtyt për shpirtra të pastër.
Gjatë ditës së djeshme ajo që ndodhi në parlament kur Nikolla njohu Lulzim Bashën për kreun e grupit parlamentar të PD-së, më ngacmoi të shkruaja një shkrim, të cilin e titullova "Ata qeshën me ju" dhe nënkuptonte demokratët, të cilët kanë sakrifikuar dhe kanë derdhur djersë dhe mund që PD-ja të ishte fituese, ishin po të njëjtët deputetë, të cilët rreshtoheshin në radhë te Basha si hyzmeqarët e tij dhe dridheshin sa herë afroheshin listat e deputetëve se mos Basha nuk i vendoste dhe i lëpiheshin sa mundeshin, por mosmirënjohjen vetëm koha e tregon fytyrën e vërtetë. Një fytyrë, e cila merr formë sipas këpucës që lëpin. Në orën 11:00, Basha mblodhi Kolegjin e Kryetarëve për të diskutuar mënyrën se si do të organizohet PD-ja për zgjedhjet e ardhshme.
I ndërgjeshëm mbi realitetin politik ku ndodhet, por përsëri duke bërë një thirrje për vetingun në politikë. Ndërkohë që mbledhja më pas vazhdoi me dyer të mbyllura, fraksioni i Rithemelimit i drejtuar nga z.Berisha po i bashkohej ftesës së drejtuar nga z.Bardhi. Një lumë akuzash, të cilat kishin hedhur vetëm disa muaj më parë ndaj njëri- tjetrit. Herë duke sulmuar oligarkët e herë duke kujtuar non-gratën, herë duke sulmuar familjarët, tashmë u sheshuan me një të rënë të lapsit. Çdo gjë harrohet kur në lojë vihet interesi kombëtar. Flamurtarët e Revolucionit tashmë së bashku me grupin e Bardhit krijuan frontin opozitar, i cili do të hedhë në tokë regjimin e Ramës. Pyetja që lind sot pas këtyre takimeve është se çfarë do të ndodhë me betejën përtej detit, atë të non-gratës? A do të kenë më guxim deputetët ta përmendin këtë fakt, se çështja e ndarjes së PD-së nuk është çështje numrash, as interesash personalë, por është çështje politike e cila zanafillën e ka pikërisht te non-grata.
Prandaj qytetarë dhe demokratë në qoftë se dje ata qeshën me ju duke mos njohur institucionet, ata sot po ju tallin. Ata nuk kanë guxim të mundin Berishën dhe jo më të hyjnë në betejë me Ramën. Kjo është e vërteta, të cilën ata s’kanë guxim ta thonë. Bashkimi mekanik i tyre vetëm sa fryn xhepat e tyre, por nuk rrëzon Edi Ramën. Në qoftë se dje ata ju qeshën demokratë e qytetarë sot ata po ju tallin./dritare.net