
Nga Ylli Manjani
Debati mbi kryetarin e ardhshëm të bashkisë Tiranë duhet të jetë përtej forumeve të partive.
Vitin e shkuar, përgjatë një emisioni tek Erla Mëhilli, kam sugjeruar që Erion Braçe do ishte një kandidat serioz për bashkinë e Tiranës.
Ende e mendoj këtë ide si pozitive për qytetin, por edhe Erionin dhe pse jo, edhe vetë PS.
Erion Braçe është i ri ende në moshë, por ka një barrë të jashtëzakonshme përvoje politike dhe administrative. Ka një mënyrë origjinale kritike të të menduarit dhe futet tek njerëzit publikë që nuk ta përton fjalën troç.
Mund të mos jesh dakord me të por si politikan, njeri publik dhe njohës i punëve të shtetit nuk ka të sharë. Ai është natyra e politikanit detajist që nuk lë kurrë as nënkuptime e as paqartësira. Hazërxhevap i paparë është. Njeri i informuar mirë për çdo problem.
Erion Braçe është karakter i pjekur tashmë dhe mund ta quash maksimumi fleksibël, por është i pakompromis me të vërtetën. Ai është politikan që ndërton mendimin politik mbi kontaktin e drejtpërdrejt me të njohur e të panjohur. Një punëtor politik i jashtëzakonshëm.
Mund të cedojë ndoshta në imazherinë e sotme politike, por asnjëherë në përmbajtje. Njeh absolutisht çdo problem ekonomik e politik në detaj. Korrekt në ekstrem me ligjin dhe vështirë ta akuzosh si i padrejtë.
Mund ta komentosh për lartësinë e shtatit, por jo për lartësinë e mendimit politik. Ka kaluar shumë e shumë dallgë në PS ku debati politik ka qenë i egër dhe shumë i egër, po aq sa edhe toleranca e bashkëjetesa me çdo kritikë.
Erion Braçe është njohës i thellë e çështjeve të pushtetit vendor. Pavarësisht se ai ka shërbyer deputet, gjithnjë është marrë në thellësi me çështjet e pushtetit vendor. Kritik dhe propozues zgjidhjesh si ai, askush tjetër.
Shkurt, ajo që kam menduar vjet vlen për çdo vit për Erion Braçen si kandidati absolutisht më i mirë për bashkinë e kryeqytetit.
Lexova në lajme se Ai e ka edhe vetë këtë ambicie dhe, më vjen veç mirë.
Është tamam në kohë për të drejtuar një bashki si kjo e Tiranës, për të gjitha ato cilësi që i rendita më lart.
Me Erion Braçen nderohet Tirana, por edhe politika e majtë dhe e djathtë për faktin se është ndër të paktët produkte politike me substancë në xhiro.
PS mund të pretendojë edhe emra të tjerë për kandidim, por nuk ka për të gjetur më të mirë së Braçe. Në të gjitha kuptimet...
Unë vetë do ta braktisja bojkotin zgjedhor për të votuar Erion Braçen në bashkinë e Tiranës./dritare.net