Na ndiqni edhe në

Opinione

Një gazetar duke matur pulsin e historisë: Karriera e papërsëritshme e Nehat Islamit

Një gazetar duke matur pulsin e historisë: Karriera e

Nga: Enver Robelli
Në një libër-intervistë me gati 500 pyetje, gazetari Nehat Islami rrëfen biografinë e tij mbresëlënëse profesionale - nga lufta e Libanit në Parisin e poetit Jacques Prevért, nga Bukureshti i korçarit Viktor Eftimiu tek Eqrem Çabej, i cili më me dëshirë do të kishte jetuar në Kosovë. Libri, i përgatitur nga gazetari Xheladin Rexhepi, është një dokument i rëndësishëm i historisë së Kosovës

Në fund të librit-intervistë të Nehat Islamit, i cili përmban rreth 400 faqe, lexuesi mund të pyesë: a i ka paraprirë fati gazetarit apo gazetari ia ka hapur shtegun fatit për të ndërtuar një karrierë të tillë mbresëlënëse? Do të thosha të dyja.

I lindur më 1943, në vitin e kapitullimit të Italisë fashiste, në një familje arsimdashëse në rrethinën e Ferizajt, Nehat Islami u rrit në Prishtinë, prej nga, pas gjimnazit, me një bursë të gazetës “Rilindja”, vajti në Zagreb në fillim të viteve 1960. Pas katër vjetësh u kthye nga kryeqyteti i Kroacisë si jurist i diplomuar dhe në fillim të korrikut të vitit 1966 - ato ditë kur lideri socialist jugosllav, Josip Broz Tito, rrëzoi Aleksandër Rankoviqin, politikanin nacionalist serb dhe njërin nga shtypësit më të mëdhenj të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme - Nehat Islami ende pa hyrë në zyrë dhe pa ia nisur punës si gazetar i ri, u dërgua nga redaksia e “Rilindjes” në rrethinën e Suharekës për të raportuar mbi represionin e inspektorëve famëkëqij policorë ndaj popullatës së kësaj pjese të Kosovës. Në arkivin e “Rilindjes” gjenden tekstet e para të Nehat Islamit, ku ai besnikërisht përshkruan çfarë tregonin viktimat e terrorit serb.


“Gazetar nuk mund të bëhesh me urdhër, pse je i papunë, apo i motivuar nga ndonjë interespersonal. Gazetaria është profesion i vështirë, i fisëm dhe i ndershëm”, thotë ai në fillim të librit-intervistë. Pyetjet, mbi 400 sosh, i ka bërë gazetari Xheladin Rexhepi, të cilin duhet përgëzuar për përkushtimin në realizimin e këtij libri, i cili është një dokument i rëndësishëm i historisë së Kosovës.
Shumëçka është e pëlqyeshme në këtë libër e sidomos ironia e ndërtuar me sinqeritet e Nehat Islamit. Për shembull: “Më duket kam qenë ndër të rrallët (nga gazetarët, v.j.) që nuk kam lakmuar të ndërtoj shtëpi. Gazetaria më merrte shumë kohë. Përtoja që njëkohësisht të merresha edhe me tulla, me gëlqere, me mjeshtër, me lëndë e tjegulla. Kështu e ashtu! Jetën e kam kaluar në këtë banesë modeste në lagjen ‘Ulpiana’, duke qenë rehat, me laps, notes e makinë shkrimi. (...) Unë nuk e kam parë atë interes për truall, tulla, beton e ndërtim. U bëra vetëm gazetar”.

Dhe çfarë gazetari!

Pas fillimit të furishëm si gazetar te “Rilindja”, Nehat Islami do të kalojë në redaksinë e lajmeve televizive në gjuhën shqipe, e cila emetonte nga Beogradi. Radiotelevizioni i Prishtinës do të themelohej më vonë. Si reporter televizioni, Nehat Islami do të realizonte qindra emisione, reportazhe, kronika, intervista. Për herë të parë në historinë e Kosovës, në fshatrat e thella hynte një gazetar që fliste shqip - dhe fliste pastër e bukur shqip, si dhe vishej me elegancë (edhe në terren).

Shumë nga këto vepra të vlefshme publicistike, sipas Nehat Islamit, nuk do të ishin realizuar po të mos ishte përkrahja e Masar Murtezait, i cili në fund të vitit 1966 ishte emëruar kryeredaktor i redaksisë së lajmeve televizive në gjuhën shqipe. I lindur më 1922 në Gjakovë, Masar Murtezai përshkruhet nga Nehat Islami si patriot i heshtur, si iluminist i pashoq, si rrufepritës i “murmurimave” ideologjike, si gazetar e redaktor që jetën e vet profesionale e (për)jetoi duke iu dhënë shanse gazetarëve të rinj, madje edhe atëherë kur kronikat që sillnin gazetarët nga terreni mund të ngjallnin mllefin e pushtetit. Pas mllefit lehtë mund të pasonte arrestimi.

Në zhurmën toksike mediale, e cila prej vitesh e torturon publikun në Kosovë, nuk ka vend për reflektim, as për prezantim e nderim të figurave si Masar Murtezai.

Me mbështetjen e tij (dhe më vonë të gazetës “Rilindja”), Nehat Islami do të intervistojë aq shumë personalitete të mëdha të kohës, saqë nga perspektiva e sotme, kur jeta publike e Kosovës “zhvillohet” kryesisht nga kali dhe Skënderbeu sipër tij para Kuvendit të Kosovës deri te hoteli gërmadhë “Grand” në qendër të Prishtinës, kjo duket e paimagjinueshme.

Në Tiranë, në Innsbruck të Austrisë dhe në Prishtinë, Nehat Islami do të intervistojë gjuhëtarin e famshëm Eqrem Çabej. (Në Prishtinë Çabej do t’ia hapte zemrën gazetarit kosovar duke i thënë se më me dëshirë do të jetonte në Kosovë, por duhej të kthehej në Shqipëri për shkak të vajzës së tij). Në Bukuresht, Nehat Islami do të takojë për intervistë Viktor Eftimiun, poet i madh rumun, i lindur në Boboshticë të Korçës më 1889. Bisedën me të e zhvilloi në vitin 1972, pak muaj para se Eftimiu të ndërronte jetë. Në kryeqytetin rumun reporteri televiziv nga Kosova do të takonte e do të bisedonte me mbesat e poetit kombëtar Asdrenit, Olimbi dhe Elena Drago.

Një ndër rrëfimet që lënë përshtypje të thellë në këtë libër është ai mbi takimin e Nehat Islamit me poetin e njohur francez JacquesPrévert. Rrethanat dhe vendin e takimit në Paris nuk po i përmendim këtu qëllimisht, me shpresën se ndonjë lexues a lexuese do të bëhet kureshtar/e për të lexuar librin: në një lokal të njohur parisien gazetarit nga Kosova i bie në sy Jacques Prévert. I afrohet atij pa paragjykim dhe e pyet nëse do të ishte i gatshëm t’ia jepte një intervistë. Ndonëse skeptik ndaj intervistave dhe shpesh refuzues ndaj gazetarëve, Prévert për habinë e Nehat Islamit përgjigjet: “Pasi qenke i ri, pate guximin të më afrohesh, dhe i takuake tokës së Skënderbeut, tri ditë do të jesh mysafiri im dhe pyet çka të duash”. Kështu nisi dhe pastaj u realizua njëra nga intervistat me spektakulare të Nehat Islamit. Në fundJacques Prévert ia dhuroi Nehat Islamit librin e tij me poezi me titullin “Parole” (“Fjalët”): “... ndërsa pos emrit tim dhe nënshkrimit të vet, e vizatoi edhe përkrenaren e Skënderbeut”. Jacques Prévert!

Ndër intervistat e tjera të Nehat Islamit që duhet veçuar janë ato me këngëtaren e madhe të operave Marie Krajën, me ilirologun Aleksandër Stipçeviq, me nobelistin egjiptian të letërsisë Nagip Mahfuz, me Nënë Terezën.

Një pjesë të madhe të librit e zënë shpjegimet e Nehat Islamit mbi vitet e tij si korrespondent i gazetës “Rilindja” nga Libani. Nga atje ai jo vetëm që do të raportonte mbi konfliktin tejet të ndërlikuar libanez dhe vuajtjet e popullit palestinez nën pushtimin izraelit, por do të zbulonte e shpaloste shumë kapituj të historisë shqiptare.

Pas një fejtoni të Nehat Islamit të botuar te “Rilindja” mbi veprimtarinë e Vaso Pashë Shkodranit, i cili në fund të shekullit të 19-të ishte guvernator i Libanit, udhëheqja komuniste në Tiranë, e cila me kujdes i përcillte raportimet e gazetës kryesore të Kosovës, ndërmori masat e duhura dhe trupin e Vaso Pashë Shkodranit e zhvendosi nga Bejruti në Shkodër, në vendlindjen e tij. Kjo ndodhi më 1978, në 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, një ngjarje e madhe që u shënua veçanërisht në Kosovë, ku kryetar i Këshillit organizativ të solemnitetit qendror në Prizren ishte Pajazit Nushi, atëbotë nënkryetar i Qeverisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Asgjë nuk ishte më mirë në të kaluarën, atë nuk duhet idealizuar, por disa shkëndija iluminizmi, emancipimi e patriotizmi hodhën themelet e lirisë së ardhshme dhe të shtetformimit të Kosovës. Këtu do veçuar themelimin e Universitetit të Kosovës, bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e kulturës dhe shkencës, avancimin e autonomisë me Kushtetutën e vitit 1974, fillimin e industrializimit të Kosovës. Në role të ndryshme - reporter televizioni, gazetar e korrespondent i “Rilindjes”, funksionar pakvjeçar në ekzekutivin e atëhershëm të Kosovës, ku ishte i angazhuar edhe politologu Ukshin Hoti, me të cilin njihej nga vitet e Zagrebit - Nehat Islami do të mbetet kudo një intelektual në shërbim të së vërtetës, edhe atëherë kur për shkak të censurës e vërteta s’mund të thuhej e plotë.
Dëshmia e tij në librin me titull “Jeta me lapse Nehat Islamit” (emri i të cilit në ballinë pothuaj nuk lexohet) është një burim i rëndësishëm informatash mbi historinë e gazetarisë së Kosovës. Është edhe një biografi e vetërrëfyer e një gazetari që Kosova vështirë do ta ketë më - kjo edhe për shkak të ndryshimit të mozaikut medial, krizës masive financiare të mediave dhe ngarendjes pa frymë për të skandalizuar çdo gjë për të gjeneruar klikime. Kjo “industri” me rreth 600 portale, një pjesë edhe pa adresë, siç bën me dije Nehat Islami në libër, shpesh i fundos lexuesit në oqeanin e lajmeve të paverifikuara apo të sajuara.

Si çdo libër, edhe kjo vepër e rëndësishme ka ca mangësi: disa pyetje përsëriten, siç përsëriten edhe disa përgjigje, veçanërisht mbi vitet e Libanit. Një redaktim dhe lekturim më rigoroz do ta bënte librin edhe më lehtë të lexueshëm. Por këto janë ankesa në nivel të lartë. Në një botim të dytë - le të shpresojmë që libri do të blihet shpejt nga lexuesit - mangësitë mund të evitohen lehtë.
Nehat Islami ka hyrë në dekadën e nëntë të jetës së tij. Energjia e tij e pashtershme për jetë, humori i tij, dashamirësia e tij ndaj kolegëve, miqve dhe shokëve i ndihmon atij për të përballuar gjendjen jo aq të mirë shëndetësore. Ndonjë lexues a lexuese mund të pyesë se si i zhvilloi gjithë këto intervista Nehat Islami? Kështu i zhvilloi: me Nagip Mahfuzin foli arabisht, me Jacques Prévertin frëngjisht, me politikanë turq - turqisht, me Aleksandër Stipçeviqin - kroatisht.

Ditët e luftës 78-ditore të NATO-s për çlirimin e Kosovës më 1999, Nehat Islami i kaloi në banesën e tij në Prishtinë. Rrezikoi shumë, sepse në vitet ’90, përveçse gazetar, ishte edhe aktivist i të drejtave të njeriut - në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë ai - bashkë me Flaka Surroin - raportoi mbi terrorin e regjimit të Beogradit në Kosovë, mori pjesë në një sërë konferencash për të drejtat e njeriut, informoi gazetarë të huaj mbi gjendjen në Kosovë, punoi në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (mes tjerash me Adem Demaçin, Zenun Çelajn, Bajram Kelmendin e figura të tjera të rëndësishme të jetës publike të Kosovës).

Pas luftës një kohë Nehat Islami punoi për Institute for War & Peace Reporting (IWPR) dhe ishte drejtor i Zyrës së Këshillit për Mediet e Shkruara të Kosovës. Me ironi therëse në librin-intervistë të tij ai thotë se nuk e ka menduar kurrë se ai do të jetojë dhe gazeta “Rilindja” do të vdesë. Por, ky nuk është faji i Nehat Islamit. Gjatë karrierës së tij ai mati pulsin e historisë. Më shumë s’ka çfarë të kërkojë një gazetar nga zanati i tij. - Librin e botoi shtëpia botuese "Drini" nga Ferizaj. Komuna e Ferizajt ka bërë një punë të mirë duke e mbështetur këtë publikim./Koha Ditore