Përplasja në Komision, Gonxhja: Refuzuam Jennifer Lopez, kërkoi 2 milionë euro garanci për protesta
Dritare.net

Në mbledhjen e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku u diskutua akti normativ “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, pati debate mes ministrit Blendi Gonxhja, dhe kryetares së komisionit, deputetes demokrate Ina Zhupa.
Gjatë diskutimit për financimin e aktiviteteve kulturore me përmasa ndërkombëtare, Zhupa ngriti shqetësime lidhur me alokimin e fondeve publike dhe përmendi edhe koncertin e Kanye West.
Zhupa e pyeti ministrin për arsyen e alokimit të fondeve, ndërsa Gonxhja u përgjigj se procedurat ishin ndjekur në përputhje me aktin normativ. Sipas ministrit, nëse aktiviteti nuk do të ishte realizuar, do të lindte edhe çështja se si do të ktheheshin paratë e financimit.
Debati u zhvendos më pas te mundësia e organizimit të një koncerti me këngëtaren me famë ndërkombëtare Jennifer Lopez. Ministri Gonxhja deklaroi se pala shqiptare kishte komunikuar me përfaqësuesit e artistes, por oferta ishte refuzuar për shkak të kushteve të vendosura.
Gonxhja: Meqë u interesuat për Jennifer Lopez…
Zhupa: Do t’i jepni 4.3 milionë euro edhe asaj?
Gonxhja: Jo. E kemi refuzuar për momentin, se kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të kishte protesta. E kemi refuzuar se nuk ia japim dot këtë garanci. Kjo është kosto e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan Lopez në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci, sepse na është dukur e pamundur për t’ia ofruar.
Debati u zhvillua në kuadër të diskutimeve për aktin normativ që parashikon financim të pjesshëm për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe turistike me përmasa ndërkombëtare./L.F-dritare.net