Yamal shkruan historinë në moshën 19-vjeçare, fiton Botërorin dhe lë Messin me lot në sy
Dritare.net

Spanja ka pushtuar Kupën e Botës 2026 pas një finaleje dramatike ndaj Argjentinës, ndërsa momenti më simbolik i mbrëmjes ishte përqafimi mes dy brezave të futbollit: Lionel Messit dhe Lamine Yamalit.
Në fund të ndeshjes, talenti 19-vjeçar i Barcelonës iu afrua Messit, i cili me shumë gjasa luajti ndeshjen e fundit të tij në një Botëror. Përballë tij ishte pikërisht lojtari që shumë e shohin si pasardhësin e tij: numri 10 i Barcelonës duke ngushëlluar legjendën e Argjentinës që mbante të njëjtin numër në fanellë.
Imazhi solli kujtime nga një fotografi e vitit 2007, kur një Lionel Messi 20-vjeçar mbante në krahë një Lamine Yamal vetëm 6-muajsh gjatë një kalendari bamirësie. Sot, fëmija i asaj fotografie është bërë kampion bote, ndërsa Messi duket se i ka dhënë fund kapitullit të tij në skenën më të madhe të futbollit.
Yamal, vetëm 19 vjeç e 6 ditë, është bërë lojtari më i ri në histori që fiton si Kampionatin Europian ashtu edhe Kupën e Botës. Dy vite më parë ai shpërtheu në skenën ndërkombëtare duke fituar Europianin me Spanjën, ndërsa tani ka ngritur edhe trofeun më prestigjioz të futbollit.
Edhe pse mbërriti në turne i shqetësuar nga një dëmtim në kofshë, ai u shndërrua në një nga figurat kryesore të triumfit spanjoll. Në 28 ndeshje zyrtare me kombëtaren, Yamal nuk ka humbur asnjëherë, ndërsa ka fituar të gjitha 13 sfidat ku ka qenë titullar në turnetë madhorë.
Në finalen ndaj Argjentinës, ai u shqua jo vetëm për talentin, por edhe për qetësinë e jashtëzakonshme përballë presionit dhe përpjekjeve të kundërshtarëve për ta frenuar me ndërhyrje fizike.
Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, e përmblodhi paraqitjen e tij:
“Jo vetëm që nuk reagoi ndaj provokimeve, por qëndroi i fortë. Nuk u trondit dhe nuk u tërhoq. I gjithë ekipi po përpiqej ta ndalte, por ai qëndroi i qetë”.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, vlerësoi gjithashtu kontributin e tij:
“Ai luajti një futboll të jashtëzakonshëm dhe do ta ndihmojë veten të bëhet një futbollist edhe më i madh. Ai sakrifikoi për të mirën e ekipit”.
Argjentina dhe zhgënjimi i Messit
Në krahun tjetër, për Argjentinën kjo ishte një finale e dhimbshme. Messi, në moshën 39-vjeçare, u pa i dëshpëruar pas humbjes, ndërsa tifozët argjentinas i këndonin emrin në atë që mund të ketë qenë paraqitja e tij e fundit në Kupën e Botës.
Por sipas analizës së BBC, strategjia e Argjentinës në finale e la Messin të izoluar. Kampionët në fuqi u përqendruan më shumë në ndërprerjen e lojës së Spanjës sesa në shfaqjen e potencialit të tyre ofensiv.
Argjentina nuk regjistroi asnjë gjuajtje në kuadrat gjatë 90 minutave të finales, një rekord negativ në historinë e Kupës së Botës. Spanja pati 12 gjuajtje në portë, ndërsa goli vendimtar erdhi nga Ferran Torres në minutën e 106-të të shtesës.
Në pjesën e parë, Argjentina bëri më shumë faulle sesa pasime në zonën e fundit të fushës: 9 ndërhyrje të parregullta kundrejt vetëm 8 pasimeve.
Situata u përkeqësua në fund të ndeshjes, kur tensionet shpërthyen mes lojtarëve. Enzo Fernandez mori karton të dytë të verdhë për një ndërhyrje të ashpër ndaj Pau Cubarsit, ndërsa pas përfundimit të sfidës pati përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave.
Megjithatë, Botërori 2026 do të mbahet mend për triumfin e Spanjës dhe lindjen e një ylli të ri.
Me 16 trofe në pesë vite, Spanja ka konsoliduar dominimin e saj në futbollin ndërkombëtar, ndërsa Lamine Yamal tashmë ka në duar dy trofetë më të mëdhenj të këtij sporti.
Epoka e Messit në Kupën e Botës mund të ketë përfunduar, por ajo e Lamine Yamal sapo ka nisur./dritare.net