
Lamine Yamal ngriti Kupën e Botës me Spanjën, por pas triumfit historik ndaj Argjentinës, vëmendjen e tifozëve e mori një tjetër protagonist i vogël: vëllai i tij 3-vjeçar, Kenye.

Pamjet e vogëlushit duke festuar me emocion pas fitores 1-0 të Spanjës në finalen e Botërorit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer atë në një nga figurat më të dashura të turneut.
Teksa Yamal, vetëm 19 vjeç, shkruante historinë duke ndihmuar Spanjën të fitonte trofeun më të rëndësishëm të futbollit, Kenye tërhoqi vëmendjen me reagimet e tij spontane nga tribuna.
Nga gjestet e gëzimit para kamerave, nxjerrja e gjuhës në ekranin gjigant të stadiumit, deri te brohoritjet për vëllain e madh, vogëlushi u cilësua nga tifozët si një nga “zbulimet” më simpatike të Botërorit 2026.

Pas përfundimit të finales në stadiumin “New York New Jersey”, Yamal iu afrua vëllait të tij, e përqafoi dhe ngriti me të trofeun e artë të Kupës së Botës.
Kenye është bërë tashmë një figurë e njohur për fansat e Yamalit, pasi shfaqet shpesh në videot e tij në TikTok dhe në momentet familjare të futbollistit.

Ai u shfaq në festimet e Spanjës me një fanellë me numrin 19 dhe një kapuç, ndërsa më pas u pa duke luajtur me top në fushë pranë vëllait të tij kampion.
Lamine Yamal ka folur edhe më parë për lidhjen e veçantë me të voglin e familjes.

“Prekem kur e shoh vëllain tim të vogël kaq të lumtur, ashtu siç shoh nënën time dhe miqtë e mi duke jetuar jetën që gjithmonë kanë ëndërruar. Vëllai im i vogël do të thotë gjithçka për mua. E dua shumë, ndonjëherë më duket sikur është djali im”, ka thënë ylli i Spanjës.
Pas fitimit të Europianit dhe tashmë Kupës së Botës, Lamine Yamal vazhdon të shkruajë historinë, ndërsa pranë tij po rritet një tifoz i vogël që tashmë ka fituar zemrat e miliona njerëzve./dritare.net