Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protestat, Rama për Financial Times: Nuk është puna ime të provoj se nuk jam Kumbari i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për prestigjiozen The Financial Times ku dhe ka komentuar protestat që po zhvillohen prej më shumë se 3 javësh në Shqipëri.

Artikulli i plotë:

Kryeministri Edi Rama ka mohuar të jetë “Kumbari” (Godfather) i Shqipërisë pas javësh protestash kundër korrupsionit, të nxitura nga zhvillimi i një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

E ashtuquajtura “Revolucioni i Flamingove” u shkaktua nga zemërimi publik për projektin prej 4 miliardë dollarësh të planifikuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump në një ishull dhe pranë një rezervati natyror të njohur për flamingot. Protestuesit kanë kërkuar që Rama të japë dorëheqjen dhe të ndiqet penalisht për atë që ata e shohin si korrupsion sistematik që u lejon investitorëve ndërkombëtarë të ndërtojnë në zona të mbrojtura.

“Njerëzit thonë se unë jam drejtuesi i gjithë kësaj. Unë u them: shkoni në djall. Kaq e thjeshtë,” tha ai. “Nuk është detyra ime të provoj që nuk jam Kumbari; është detyra e tyre të provojnë që jam.”

Prokurorët shqiptarë kanë lëshuar urdhër-arreste për më shumë se një duzinë biznesmenësh për trafik droge dhe pastrim parash, përfshirë një person që më parë kishte në pronësi tokë në zonën ku do të zhvillohet projekti i Kushnerit dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump.

Një zëdhënës i Kushnerit dhe partnerëve të tij në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Rama këmbënguli se investimet e Kushnerit ishin të rregullta dhe se nuk kishte lidhje mes tyre dhe hetimit në vazhdim ndaj një ish-pronari të tokës.

“Të thuash se ekonomia shqiptare bazohet në pastrim parash është e tmerrshme,” tha Rama për Financial Times në zyrën e tij me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar çdo natë për më shumë se tre javë.

“Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh,” shtoi ai. “Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Ka. Por a mund të thuash se ekonomia britanike bazohet kryesisht në pastrim parash? Jo.”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhër-arreste për 20 biznesmenë që, sipas saj, janë përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Dyshohet se miliarda euro janë kanalizuar në projekte të mëdha ndërtimi përgjatë bregdetit Adriatik dhe në kryeqytetin shqiptar.

Ndër biznesmenët e kërkuar është Artur Shehu, shtetas me nënshtetësi shqiptare dhe amerikane që jeton në Miami. Në vitin 2025, Shehu shiti tokë pranë rezervatit natyror ku kanë folenë flamingot, te Albania Land Development, një kompani e lidhur me projektin e Kushnerit. Kjo marrëveshje u vu nën shqyrtim nga prokurorët e SPAK, të cilët ngrinë pagesa me vlerë 128 milionë euro në pritje të hetimit.

Shehu nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Rama argumentoi se qeveria e tij u kishte dhënë prokurorëve mundësinë të ndjekin çështjet më intensivisht, gjë që gjithashtu ka rritur perceptimin se vendi është i mbushur me korrupsion dhe krim të organizuar.

“Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe sot është shumë më pak e korruptuar sesa ka qenë.”

Ai përsëriti pretendimet se protestat janë nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.

“Ka shumë interes për ta vrarë këtë projekt ... për shkak të Trumpit,” tha ai. “Po të mos ishte Jared Kushneri ... askujt nuk do t’i interesonin flamingot, Shqipëria dhe asgjë tjetër. Është gjithë urrejtja kundër Trumpit që krijon këtë vëmendje dhe shqyrtim.”

Ai tha se ishte i bindur që planet për zhvillimin e bregdetit do të vazhdonin pavarësisht protestave.

“Pjesa e rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash,” tha Rama. “Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një mundësi historike për Shqipërinë.”/L.F-dritare.net