Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Shqipëria e para në Ballkan për performancën mjedisore, por kemi ende shumë për të bërë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të raportit Environmental Performance Index 2026, i cili e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor dhe të 46-ën në botë për performancën mjedisore.

Në një komunikim publik, Rama tha se raporti vjen pas javësh debatesh dhe akuzash lidhur me çështjet e mjedisit, duke theksuar se faktet tregojnë një realitet ndryshe.

Sipas tij, Shqipëria ka shënuar progresin më të madh në rajon gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa për zbutjen e ndryshimeve klimatike renditet e 21-ta në botë.

Kryeministri u shpreh se arritja më e madhe nuk është vetëm pozicioni në renditje, por transformimi që ka pësuar vendi në mbrojtjen e natyrës.

“Dikur Shqipëria ishte vendi i prerjeve barbare të pyjeve, i gjuetisë së egër dhe i lumenjve të mbushur me mbetje. Sot jemi një vend krejt tjetër edhe në këtë aspekt”, tha Rama.

Ai theksoi se protestat për mjedisin janë tregues i një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe i cilësoi ato si “fitore qytetërimi”, pavarësisht debatit politik që i ka shoqëruar.

Megjithatë, Rama pranoi se qeveria nuk ka qenë gjithmonë e pagabueshme.

“Kemi gabuar, kemi ende shumë për të mësuar dhe për të përmirësuar. Ky raport nuk është një medalje për vetëkënaqësi, por një përgjegjësi për të dëgjuar më shumë, për të korrigjuar gabimet dhe për të mbrojtur më mirë ekuilibrin mes zhvillimit dhe natyrës”, deklaroi ai.

Në fund të komunikimit, kryeministri bëri të ditur se reflektimi i premtuar pas debateve për mbrojtjen e mjedisit do të prezantohet së shpejti.