Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Ambasadori Enver Faja: Ju tregoj takimin me Nënë Terezën!

Ambasadori Enver Faja: Ju tregoj takimin me Nënë Terezën!

Nga Ardiana Faja

I kthehem shpesh këtij artikulli te babait tim Enver Faja: rrëfen dy takimet me të shenjtën Nënë Tereza gjatë misionit të tij diplomatik në Poloni (1992 – 1998). Takimet mbartin emocion dhe mirënjohje të thellë shoqëruar me magjinë e veçantë që ofroi bashkëbisedimi me Nënë Terezën. Në publikimet e tij për vendin e statujës së Nënë Terezës në hapësirën e kryeqytetit, im atë, ka shkruar se në punën e tij diplomatike, e ka pasur Nënë Terezën mbështetje të madhe shpirtërore. Takimi në fjalë, bën pjesë në momentet fatlume të trajektores së tij profesionale por edhe përtej, të jetës.

Profesor arkitekt Enver Faja, ish – ambasador i Shqipërisë në Poloni

Ambasadori Enver Faja: Ju tregoj takimin me Nënë Terezën!

Nënë Terezën e kam takuar dy herë gjatë misionit tim diplomatik në Varshavë ne vitin 1994 dhe 1995. Emri dhe vepra e saj humanitare më ka ndihmuar kudo ne detyrën time. Dyert e kancelarive të Polonisë ishin gjithmonë të hapura. Më prisnin me respekt, si përfaqësuesi i një vendit ë vogël që i kishte dhënë botës dy njerëz të mëdhenj: Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe Nënë Terezën. Këto emra shpesh shoqëronin vizitat e mia diplomatike, Polonia i njeh mirë. Nënë Tereza, misionarja e Paqes dhe e Bamirësisë, kishte ngritur qendra bamirësie në Varshavë dhe disa qytete të Polonisë, për t’i ardhur në ndihmë të varfërve, të sëmurëve, të moshuarve dhe fëmijëve polakë. Shumë ditë, para mbërritjes së saj në Varshavë, të gjitha mediat polake aktivizoheshin, ardhja e saj ishte një ditë e veçantë, një ngjarje e shënuar për Poloninë e veçanërisht Varshavën.

Unë e prisja si nënën time, si atdhetaren time, si njeriun tim. Vizita e parë që kujtoj me Nënë Terezën, ishte krejtësisht private, e ngarkuar me emocione pranë kësaj gruaje energjike, kësaj shqiptareje të rrallë, nënë e gjithë botës, nga e cila komunizmi shqiptar na kishte ndarë për jetë. Vizita e dytë me Nënë Terezën u bë me datë 2 Qershor 1995, bashkë me atdhetarët e mi shqiptarë që banojnë në Poloni, kryesisht kosovarë. Ndërmjet tyre edhe piktori i shquar kosovar Zyhdi Cakolli. Ishte njëherazi një vizitë dhe një festë e vogël, ku ne atdhetarët i shprehnim Nënë Terezës dashurinë, respektin dhe mirënjohjen e thellë për veprën e saj të madhe humanitare në shërbim të njerëzimit. Nënë Tereza u gëzua pas masë për këtë vizitë dhe me një zë të ëmbël, të butë, të qetë na falënderoi përzemërsisht dhe na tha:

“Lutjuni Zotit. Punoni për Shqipërinë që të mos ketë varfëri. Tani kushtet janë, mundësi keni dhe Zoti e bekoftë vendin tonë, Shqipërinë. Këtë kuti të argjendtë e keni kujtim nga Ambasada Shqiptare. Është punuar në stilin filigran nga mjeshtërit artistë shkodranë” – i thashë.

Ajo e hapi kutinë e argjendtë, sytë i ndrisnin, ndërsa unë vështroja me kureshtje ato duar të vogla, të shkathta, magjepsëse, të cilat kishin përkëdhelu me mijëra trupa të sëmurë, fëmijë dhe leprozë në shtratet e tyre të vdekjes, ato duar që kurrë nuk u lodhën. Më erdhi keq që brenda në këtë kuti nuk kishte diçka më shumë: një unazë mbretërish, perandorësh, një margaritar, një send që askush mos ta kishte përveç kësaj Nëne të vogël në shtat, e të madhe në vepër. Devocioni në ndihmë të njerëzimit e udhëhoqi në jetën e saj, ndaj sot, ajo ka gjithçka : përjetësinë dhe shenjtërinë. (Fotografitë e këtij takimi ia dorëzova drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, për të mos humbur në puset e Ministrisë së Jashtme.

Ftova për darkë mikun tim, atasheun ushtarak të Ambasadës Amerikane në Varshavë, kolonel James Richard së bashku me të shoqen. Në rezidencë gruaja e atasheut pa fotografinë time me bashkëshorten dhe Nënë Terezën e menjëherë më pyeti:

Ju keni takuar Nënë Terezën e Kalkutës ?! Ajo është shqiptare ?! Ju e njihni nga afër atë?! Ah sa i lumtur duhet jeni! Sa e madhe është Nënë Tereza! Edhe Presidenti ynë e ka pritur”.

Ambasadori Enver Faja: Ju tregoj takimin me Nënë Terezën!

Kur me 5 shtator te vitit 1997, morëm njoftim për vdekjen e Nëna Terezës, dhashë lajmin ne mediat polake se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në selinë e saj hap librin e ngushëllimeve. Një kënd ekspozimi u krijua në sallën e pritjes së ambasadës dhe në ballë të sallës priste fotografia e Nënës së madhe, figurë e shkëlqyer e njerëzimit. Ambasada u hap në orën 09.00 të mëngjesit. Në libër shënuan emrin shumë polake të thjeshtë dhe personalitete. Në oborr pati momente ku u krijua edhe radhë. Shumë polakë me lule në dorë dhe lot në sy, puthnin fotografinë dhe shprehnin dhimbjen per humbjen e Nënës së tyre.

Në librin e ngushëllimeve është edhe emri i Jolanda Kvashnjievskës, bashkëshorte e Presidentit polak Aleksandër Kvashnjievskit. Si gjithmonë e përzemërt dhe dashamirëse e vendit tonë dhe adhuruese e Nënë Terezës, më pyeti nëse kishte kuptim në shqip emri i saj Gonxhe.

“Gonxhe, - iu përgjigja, - është zemra e lules që çel”.

“Sa bukur! – tha ajo dhe vazhdoi – në të vërtetë një lule me zemër të madhe ka qenë Nënë Tereza. Ishte e dërguara e Zotit në tokë, mishërimi i mirësisë dhe dashurisë për njeriun”.

Në libër shënuan emrat përfaqësues te trupit dipllomatik, ndërmjet tyre dhe të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Indisë dhe Maqedonisë. Me këtë të fundit këmbyem këto fjalë :

“Na vdiq bija jonë, sa humbje e madhe”, - tha Naumovski i dërguari me punë i Maqedonisë.

“ Nëna e të gjithëve është, por është bijë vetëm e Shqipërisë, lindur prej një babai shqiptar dhe një nëne shqiptare, sikundër shumë shqiptarë me banim në Shkup, lindin dhe vdesin shqiptarë”, – iu përgjigja.

Në atë periudhë të shërbimit diplomatik ndjeva me të vërtetë se Nënë Tereza, me gjak shqiptar, i përkiste të gjithë botës. Shteti ynë është dhe do ti jetë borxhli kësaj Nëne të madhe, kësaj shqiptareje universale. Në Tiranë duhet të ngrihet një shtatore e saj dhe për këtë nuk duhet të vonohemi. Vendin, shtatorja e Nënë Terezës, sipas mendimit tim jo në pozicionin e ambasadorit, por të profesorit të urbanistikës, e ka në sheshin Nënë Tereza . Ai ofron hapësirën për një monument të shkallës së Nënë Terezës. Është ndër hapësirat urbane më monumentale të Tiranës. Vendosja në mes të sheshit, në aksin e bulevardit, boshtit më të rëndësishëm të planit të Tiranës, ku qëndron dhe monumenti i Skënderbeut, i jep në aspektin kompozicional, një barazvlersim këtyre dy figurave të shquara historike të popullit shqiptar.

Artikulli është marrë nga libri i Profesor Enver Faja, Kush e drejton urbanistikën shqiptare, përmbledhje artikujsh kritike mbi arkitekturën dhe urbanistikën./dritare.net