
Nga Dorina Hoxha
Çdo njeri është si një libër që në çdo fletë të tij paralelisht me ditët e jetës, shënohen dhe mbeten gjurmët e ndjesive që koha lë deri në faqen e fundit të saj. U ula në shkallët e katit të dytë sëbashku me fëmijët dhe në dallim nga ata që shfaqeshin të pezmatuar, ishim në të njëjtin nivel
nevoje, lypsarë të dashurisë!
Muret e atij institucioni mbanin era trishtim dhe lëshonin një ftohtësi frigoriferike dashurie. Ishte një rrugëtim i cili po më shpinte për herë të parë në një dhimbje të panjohur. Si pjesë e një shoqërie tradicionale, ku fëmijët rriten nga prindërit, ndërsa makina po më shpiente në një familje artificale, drejt jetimores në qytetin e Shkodrës.
Nuk e kupton ndjesinë e braktisjes deri në momentin që troket në atë derë, ku përpara të shfaqen qënie të vogla njerëzore që ushqehen artificialisht me dashurinë kinse të një familjeje. Fëmijët që po shoqëroja menjëherë sapo hymë brenda u ulën tek shkalla e dytë, shkallë të cilët të çonin në katin e dytë të jetimores. Vajza dymbëdhjetë vjeçare me një fizik të dobët ngjasonte me zhvillimin e një vajze pothuaj shtatë vjeçare, e zbehtë dhe me lëvizje të tensionuara e mbante kokën e ulur.
Përgjatë rrugës të krijonte idenë që e kuptonte disi situatën në të cilën ndodheshin ajo dhe dy vëllezërit e saj më të vegjël, duart i dridheshin dhe lëvizjet e shpeshtuara ishin një tregues i qartë i situatës ankthioze që po përjetonte për shkak të së papriturës që kishte përpara vetes. Ndërkohë
ngjitur motrës u ul edhe vëllai i saj pesë vjeçar që krejt i pezmatuar, nuk foli fare por e mbështeti kokën e tij të vogël tek krahu i motrës, edhe për këtë vogëlush çorientimi dhe trembja i vërehej në sytë e tij ngjyrë kafe por që të përcillnin një trishtim prej të rrituri. Duart e vogla i mbante mbi
gjunjë dhe kokën e fshihte si i turpëruar.
U ula në një shkallë me fëmijët dhe vërtet ashtu krejt më e çorientuar sesa ata po më pikte në shpirt dorëzimi i tyre në këtë institucion të ftohtë. Procedurat zgjatën disi, pasi përmbyllëm edhe plotësimet e fundit të dorëzimit të fëmijëve në jetimore. Qëndrimi i më të voglit prej fëmijëve më
bëri të kaloj ndjesinë më të keqe që kisha përjetuar deri më tani në jetën time. E vetmja qëndrueshmëri emocionale në jetën e tij tani e tutje do të ishte figura motërore e cila edhe më përpara ka luajtur një rol gati prindërues me vëllezërit më të vegjël.
Fati ndonjëherë është i padrejtë duke vënë në sprova të vështira fëmijët të cilët në mënyrë po aq të habitshme me shpejtësi arrijnë pjekurinë emocionale për të kryer role përtej sjelljeve dhe zhvillimit emocional të moshës së tyre. Vajza dymbëdhjetë vjeçare ndonëse e kishte humbur
fëmijërinë e saj duke u përballur me kushte të vështira familjare, mbetej gjithsesi një fëmijë brenda të të cilit rënkonin dëshirat e saj të munguara, uria shpirtërore për ngrohtësinë familjare dhe përkujdesi prindëror i humbur. Ndërkohë që vëzhgoja qëndrimin e vajzës, nuk guxoja të
shikoja vëllain e saj 5 vjecarë qëndrimi i të cilit qartazi dukej i mërzitur dhe i frikësuar. Përgjatë udhëtimit për në shkodër u ankua për dhimbje barku dhe me të dyja duart qëndronte pa folur, një pjesë të rrugës e zuri gjumi në makinë dhe kur u zgjua ashtu habitshëm shikonte përreth i
çoroditur, zemra më theri.
Nesër ky vogëlush do zgjohej në një tjetër ambjent ku nuk do të ketë dashurinë e një nëne për ta zgjuar për në kopësht, për ta puthur në ballë, për t'i plotësuar tekat e tij fëminore, për t'i matur temperaturën kur të jetë sëmurë, kur të kthehet nga kopshti nuk do të mund të ulet në prerin e nënës së tij për t'u përkëdhelur dhe për të ndjerë dashurinë, me ushqimin
e së cilës do të perballonte çdo stuhi te jetës. Stuhia e jetës e kishte mbështjellë këtë fëmijë ende pa e kuptuar jetën, ende pa mësuar mirë të flasë.
“Xhaxhi Bexhniku’ ; "Doda”, kur i thash se quhem Dorka, nuk arriti të ma shqiptonte mirë emrin, si mund ta kuptonte vallë ky fëmijë që ne po e dërgonim në jetimore, atje ku qëndrojnë fëmijët pa kujdes prindëror, ose fëmijët të cilët janë braktisur.
Si mund ta kuptonte ky vogëlush që braktisja është më e rëndë sesa vdekja?!
Përgjatë rrugës nga Tiranë për në Shkodër më i vogli prej fëmijëve e pyeti punonjësin social që po ngiste edhe makinën:- “A ka piçinë atje xhaxhi Bexhniku?”
-Nuk e di! A të pëlqen pishinë dimërore apo verore ju përgjigj Besniku?
-"Dua piçinë të malee", ishte përgjigja e djalit 5 vjeçar.
Një tragjedi emocionale luhej në atë udhëtim, e teksa dëgjoja bashkëbisedimin, fjalët më ngecën në grykë për t’iu bashkangjitur kësaj bisede. Atje e priste pishina e lotëve të gjithë atyre fëmijëve
të braktisur që iu është mohuar afërsia njerëzore, dashuria familjare.
Ndërkohë vajza e madhe na kujtonte se me datën 13 nëntor kishte ditëlindjen dhe kërkonte një
dhuratë. ‘Të Tre ne e kemi ditëlindjen në nëntor’-tha vajza.
Ishin këto copëza të shkëputura bisedash përgjatë udhëtimit që të piknin në shpirt për të kuptuar sesa fare pak duhet për të gëzuar një zemër fëmije, një ditëlindje e festuar me dhurata dhe me urime, një ambjent i bukur me pishinë, një shtrëngim duarsh, një përqafim për t'u rritur shpirtërisht dhe psikologjikisht të shëndetshëm.
Institucioni rezidencial është zgjidhja e fundit për mirëqënien e një fëmije, natyrisht me gjithë përpjekjen e punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve dhe punonjësve social, për situatën e tre fëmijëve, ishte zgjidhja e vetme pasi janë ezauruar të gjitha zgjidhjet alternative. Të braktisur dhe në mëshirën e fateve institucionae. Institucioni nuk është zgjidhja më e mirë nga këndvështrimi i familjes si koncept por është zgjidhja më e përshtatshme dhe e nevojshme për raste të cilat nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Atashimi i fëmijës dhe nevojat e tij emocionale duken krejt si të papërfillshme në dukje përpara rrezikut për jetën që mund t'i shfaqet fëmijëve pa një kujdes prindëror.
Interesi më i lartë i fëmijës nënkupton të drejtën e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor, moral, shpirtëror e social, si dhe për të gëzuar një jetë familjare e sociale të përshtatshme për fëmijën. Qëndrueshmëria emocionale është shumë e rëndësishme për fëmijët, i njëjti ambjent, të njëjtët familjarë, e njëjta lagje dhe të njëjtët njerëz me të cilët ata janë socializuar. Ndryshimet që ata po pësojnë janë sidomos emocionale dhe shpirtërore.
Ndryshimi i qytetit, i lagjes, i shkollës, i njerëzve përreth që janë socializuar, pra e gjithë njohja që ata kanë krijuar rreth realitetit pëson një tronditje teksa mbeten dyerve të akullta të
institucioneve. Fëmijët që ata i quanin shokë apo shoqe nuk do t'i shohin më apo të luajnë me ata, nuk do të frekuentojnë më shkollën dhe kopshtin ku ishin socializuar më parë. Qëndrueshmëria e tyre emocionale është thyer nga këto ndryshime, të cilat fatkeqësisht për fëmijët ishte zgjidhja më e mirë e vendosur nga profesionistët dhe aktorët për mbrojtjen e fëmijëve.
Këtë mendim ma përforconte sjellja dhe reagimet e vajzës, kur u afruam tek zona ku fëmijët kanë jetuar më përpara. Fëmijët filluan të brohorisin dhe të thërrisnin:- ‘Kjo është zona jonë, ja kopshti vëllait!’ Çdo fjalë dhe sjellje tyre ishte si një plumb në zemër për mua teksa kuptoja që pavarsisht situatës më të vështirë që një fëmijë mund të përjetojë në familjen e tij, prapë dashuria për atë stehëz problematike mbetet boshti më i dëshirueshme i qëndrueshmërisë së realitetit të tyre fëminor.
Vajza brohoriste e ngazëllyer teksa njohu zonën ku kanë jetuar më parë dhe bërtiste me të madhe: "Ja, shiko, shkolla ime, aty fëmijët më thërrisnin maloke”, një tjetër therje në shpirt për mua.
Brenda botës së vogël së një fëmije kishte plagë shpirtërore, vuajtje, bullizëm, edhe pse e tillë situata prap se prap euphoria ngazëlluese me të cilën shprehej vajza, të linte të kuptoje se dukej dukej më e lumtur për ato kujtime sesa gjendja në të cilën ndodhej’. Ishte hera e parë që në profesionin tim përballesha me një situatë të tillë, të dorëzoja tre fëmijë në
vendin ku prodhohet dashuri artificale institucioni. Empatizmi im ishte në pikën e tij kulmore, por ajo që më shqetësonte ishte djali më i vogël, i cili me pezmatimin fëminor të tij më këputi shpirtin, para së gjithash si një njeri që ende luftoj për dashurinë, ende e kërkoj parreshtur
afërsinë njerëzore në formën e saj më të pastër dhe të vërtetë. Nuk heq dorë nga dashuria edhe aty ku nuk e gjej të tillë përpiqem ta krijoj me ç’ka mundem që të shuaj sadopak atë mall për afërsi njerëzore, për atë ndjesi të pazëvendësueshme në botë, ushqimin shpirtëror që sidomos fëmijët duhet ta kenë në doza të mëdha.
E ulur me fëmijët në shkallën e jetimores së Shkodrës dhe si të dorëzuar fatit dhe misionit institucional, krijonim trishtueshëm tablonë e lypsarëve të dashurisë që ulërinim njëzëri dy fjalë: MË DUAJ!/dritare.net

















