
Pse “shqiptarët” vriten për një filxhan ekspres?
Dritare.net
Nga Kreshnik Spahiu
Profesor Müller, një penalist i njohur, në ligjëratën e tij mbi dinamikën dhe karakteristikat e krimit në çdo shtet, theksonte se shqiptarët dhe çeçenët, në disa raste, vrasin pa asnjë motiv, ose thënë ndryshe, pa shkaqe të njohura si në shoqëri të tjera. Ai nuk e vinte theksin te rrezikshmëria, por te agresiviteti me motive banale e pa interes.
Por a ka Shqipëria më shumë kriminelë, apo njerëz të çmendur me probleme psikike? Kjo pyetje meriton një analizë juridiko-sociale, me të gjitha rrethanat dhe komponentët e zhvillimit shoqëror gjatë 35 viteve të fundit.
Vrasjet si fenomen në Shqipëri ndahen në tre kategori kryesore:
1. Vrasje me paramendim, mes grupeve rivale të strukturuara kriminale, në rrethana cilësuese;
2. Vrasje brenda familjes apo rrethit fisnor;
3. Vrasje për motive të dobëta.
“Motiv i dobët” (në terminologjinë ligjore shqiptare) do të thotë një arsye e pavlefshme, e padenjë ose pa bazë të arsyeshme, që nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë heqjen e jetës së një personi.
Këtu përfshihen:
– Vrasje për xhelozi, hakmarrje të vogël, fyerje të lehtë ose sherr të momentit;
– Vrasje për shkaqe banale;
– Vrasje nga mospëlqimi personal, zili ose inat i pakuptimtë.
Në këto raste, motivi konsiderohet “i ulët” sepse tregon egoizëm ekstrem, mungesë të ndjenjës njerëzore dhe padenjësi morale.
Kronikat e zeza raportojnë çdo ditë për:
– Vrasje për një vend parkimi;
– Vrasje për karikuesin e celularit;
– Vrasje për çadrën e plazhit në rresht të parë;
– Vrasje për parakalim në autostradë;
– Vrasje për dritat e gjata të makinës.
Dje ndodhi edhe e paparashikueshmja: Vrasja e dy personave për një filxhan ekspres.
Në fakt, Shqipëria nuk e ndjen prezencën e krimit në rrugë. Nga 10 milionë turistë, as nuk u vra dhe as nuk u grabit askush, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria është e qetë dhe e sigurt.
Në Shqipëri, më të rrezikshëm janë të çmendurit sesa kriminelët. 90% e autorëve të vrasjeve të momentit nuk janë kriminelë, por njerëz me probleme psikike.
Sot, rrugët e Shqipërisë janë plot me njerëz të vrenjtur, të cilëve nuk u qesh buza kurrë.
Shikimi i njerëzve me prirje psikopatie ndjehet kudo — në lokale, në rrugë, në dyqane, në semaforë, në bilardo…...
Në Shqipëri, nuk duhet të keni frikë nga mafia apo trafikantët e drogës, sepse ata s’kanë punë me ju.
Në Shqipëri, ruhuni nga njerëzit e çmendur — nga ata që vrasin shokun, kalimtarin, komshiun, kamarierin apo kushëririn, vetëm pse i pa shtrembër. Nuk di nga buron ky agresivitet. Ndoshta nga izolimi, frustrimi, varfëria, përçmimi, dështimi, mungesa e arsimimit ose nga familja. Ndoshta unë gabohem, por mendoj se numri i të çmendurve është më i lartë se ai i kriminelëve. Dje u shuan dy jetë për një filxhan ekspres.
Kjo nuk ndodh as në Afrikë./dritare.net

















