Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga 1 janari ndryshon siguracioni i makinave! Ja kush do paguajë më shumë

Nga 1 janari ndryshon siguracioni i makinave! Ja kush do paguajë më

Më i ulët apo më i lartë, siguracioni i automjeteve do të ndryshojë duke nisur nga janari 2026.Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, drejtuesja e AMF-së, Mimoza Kaçi, deklaroi se kush ka shkaktuar aksidente gjatë këtij viti do të paguajë më shumë.

Drejtuesit e rregullt do të marrin si bonus një sigurim më të ulët, ndërsa ata problematik do të marrin “malus” ose sigurim më të lartë.

“Mund të mos jetë perfekt, por është një hap i madh për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjeteve, pasi që në 1 janar 2026 do të hyjë në zbatim si bonusi ashtu edhe malusi. Nëse incidenca e dëmeve në nivel vendi është 3.8, do të thotë që 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të marrin bonus, që do të luhatet”, thotë Kaçi.

Sa i përket sigurimit të detyrueshëm të banesave, një projektligj që ka pasur edhe kundërshtime nga kompanitë e sigurimeve, Kaçi theksoi se kjo është një nismë e mirë:

“Është draftuar një ligj i cili është në konsultim. Është një nismë shumë e mirë, ofron mbulim të banesave sipas një niveli të caktuar, qytetarët mund të shtojnë edhe më shumë. Ky është një sigurim minimal.”

Drejtuesja e AMF-së, teksa u pyet edhe për kriptomonedhat, deklaroi në Komision se një draft po përgatitet dhe pritet të jetë në konsultim publik së shpejti.

“Kemi punuar për draftimin e ligjit, jemi në një grup pune ku janë përfshirë AMF, BSH, Ministria e Ekonomisë. Kemi përgatitur një draft të parë, po diskutohet në grupin e punës dhe deri në fund të vitit mendohet që ne të publikojmë draftin”, shton Kaçi.

Pa një ligj të tillë, teksa një aktivitet i tillë nuk lejohet, në 2024 u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme rreth 11 milionë euro kriptomonedha./dritare.net