
Nga Jonida Hitoveizi
Kam kërkuar shpesh të gjej një grua në mjedisin shqiptar nga ato që të frymëzojnë, që të bëjnë të mbash frymën, nga ato gra që lindin rrallë dhe nuk vdesin kurrë.
Një grua në politikë, ndaj së cilës do të rrëzohej çdo shigjetë dyshimi, nga ato të pakompromiset përpara çdo sfide, një grua në art, e cila do të mbahej mend për këmbëngulen e saj, për kauza të çuara deri në fund, një grua e njohur e këtij vendi, emri i së cilës do të duhej të qëndronte i pagërvishur nga asnjë e keqe që ne me shumicë ia derdhim sho-shoqit.
Që të jemi e qartë, do ishte e paimagjinueshme që ky vend të mos kishte gra për t'u marrë shembull. Ka, plot. Mes nesh, jo vetëm sot por në çdo kohë kanë jetuar gra të forta, gra që kanë luftuar edhe me armë në dorë, gra që kanë dhënë kontribute të paçmuara, por sërish në një mjedis si i yni askush prej tyre nuk ia ka dalë të krijojë një frymë, një rrymë, një lëvizje nga ato që ndryshojnë njëherë e përgjithmonë shoqërinë. Musine Kokalari ishte një guximtare e mençur, që qëndroi si rrallëkush përballë regjimit komunist, por që sërish kauza e saj duket se u internua bashkë me të, pavarësisht se ajo "humbi" me dinjitet e fisnikëri. Ishin kohëra të tjera vërtet ato të Musinesë, por edhe më pas, me lirinë që na solli demokracia nuk është se kemi parë ndonjë grua që ka udhëhequr një kauzë publike, e të rrëmbejë një pjesë të mirë të shoqërisë me vete. Edhe lëvizjet e ndryshme për të drejtat e njeriut janë mpleksur aq keq me historirat e fondeve e lekëve që humbasin rrugës për ku janë nisur, sa sot e kësaj dite si shumë gjëra të tjera në këtë vend i thati vijon e digjet me të njomin, ose më keq akoma, padrejtësitë kanë nxitur një tjetër fenomen, atë ku më i forti largohet i pari me një valixhe në dorë, nga sytë këmbët, sepse t'ia dalësh mbanë duket si drita në fund të tunelit që nuk e sheh dot kurrë, sepse tuneli vetëm errësohet. Shumë dorëzohen, shumë kanë bërë kompromise, sepse shpesh ndihet se idealizmi ka humbur rrugës. Përse të luftosh kur mbetesh vetëm apo kur shokët ta lënë luftën në mes!
Në jetën publike sot mund të numërojmë dhjetëra gra të suksesshme, të denja, puntore, të palodhura, sipërmarrëse, por veprimtaria e të gjithave sërish nuk na e ka prodhuar atë modelin që e gjejmë nëpër libra, nëpër filma, nëpër histori që kanë ndryshuar botën. Ndoshta, sepse edhe vetë historia ka ato momentet e saj, kur i zgjedh gjërat që i duhen për t'ia servirur masave si modele që bëjnë kthesat e mëdha.
Në Shqipëri, nuk është se kemi patur shansin të kemi një Alice Paul, aktivistja e shekullit të 20-të, feministe, e cila në një botë dhe kohë të paimagjinueshme për ne gratë sot, me një kurajo të çmendur, udhëhoqi revolucionin për të drejtën e grave për të votuar. Dhe ia doli mbanë, frymëzoi një komb të tërë, e bëri të drejtën e grave për të votuar të drejtë kushtetuese në SHBA edhe pse u përndoq, u arrestua më shumë se shtatë herë, u la të vdiste për bukë etj. Por ajo vijonte betejën tek e cila besonte. Ne nuk kemi patur një Rosa Parks, e cila me gjestin e saj të të mos liruarit të ndenjëses në autobus për një person me ngjyrë të bardhë, u kthye në simbolin e gjithë lëvizjes për të drejta të barabarta të komunitetit afro-amerikan. Ajo tha thjesht një "Jo", e bindur se po bënte gjënë e duhur edhe pse në kundërshtim të plotë me atë që duhej sipas ligjeve e normave të atyre viteve.
Në kohëra të ndryshme, veprime të ndryshme shenjojnë përgjithmonë kombe të caktuar. Ndaj, kur lexova që u rihap sërish çështja e Gërdecit mu kujtua Zamira Durdaj, nëna e Erit, e cila ka mbi 15 vite që kërkon drejtësi për djalin e saj, të cilin e humbi nga shpërthimi në Gërdec. Të dëgjosh intervistat e saj, kërkon forcë të madhe, për të mos ia dorëzuar veten dhimbjes e lotëve. Zamira Durdaj është gruaja, e cila bën diferencën mes të gjitha grave që sot kanë një farë pushteti apo kanë ndërmarrë një mision publik. Ajo kërkon drejtësi dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë, derisa të jetë fizikisht në këtë botë. "Unë jetoj që të vendosë drejtësi për tim bir", ndërsa rrëfen se kërkimi i drejtësisë në institucionet shqiptare ka qenë i tillë "që të vrisnin e të rivrisnin me mijëra herë të gjitha me radhë". Qëndresa e Zamirës përballë shtetit, është e denjë për ta kthyer atë në një simbol të luftës për drejtësi në Shqipëri, drejtësisë së munguar e të kërkuar si korbi një pikë ujë. Lufta e individit përballë një shteti të korruptuar, që të vjedh, të vret e pas vdekjes edhe të përdhos. Një sistem që e ligjëron pafytyrësinë e të përçundojë viktimat e babëzisë së tij.
Qëndresa dhe mosdorëzimi i Zamirës, e bëjnë këtë nënë model dhe simbol të pjesës më të mirë të shoqërisë sonë, së cilës gjithë jeta ju kthye në një acar të përhershëm, në prag të pranverës. Ajo është përballuar me të gjitha llojet e sorollatjeve të dikujt që kërkon drejtësi nëpër institucionet shqiptare dhe sërish nuk është thyer. Një nënë, të cilën dhimbja dhe humbja e ktheu në një grua të jashtëzakonshme. Në një heroinë, e cila përtej heshtjes që kanë dashur t'i imponojnë, mbetet një zë kumbues për të gjitha viktimat e drejtësisë sonë të munguar. Jo veç për birin e saj, të cilin e humbi vetëm 7 vjeç!

















