Si u ndërtua Porto Palermo me provën e bombës bërthamore të Hiroshimës!
Dritare.net
Xhorxhi Koçi, Qemal Zyfi, Bashkim Salillari, Lefter Alushi, Vilson Kulla, Ilirjan Tahmazi, Aleksandër Mihali, Gëzim Bakiu, inxhinierë, ish-oficerë, ish-palombarë treguan ekskluzivisht për gazetaren Rudina Xhunga çfarë fsheh Porto Palermo.
Duke treguar cep më cep ndërtimet e këtij tuneli nënujor, ata rrëfyen se Porto Palermo është një vepër inxhinierike që e kanë zili të gjithë, edhe vendet më të fuqishme.
“Porto Palermo është një kompleks shumë i madh, i ndërtuar nëntokë. Është fortifikimi dhe vepra më e madhe hidroteknike në tërë pellgun e Mesdheut, e bërë nga ne inxhinierët dhe ushtarakët, 40 vjet më parë. Projekti i Porto Palermos është bërë fillimisht nga kinezët për të strehuar katrasilurusët, por më pas ne inxhinierët e përshtatëm për 4 nëndetëset që u futën në të. Janë 20 tunele, 8 janë vetëm në këtë zonë, edhe 12 të tjerë të shpërndarë përgjatë gjirit të Vlorës; njëri te kthesa e Pilurit, midis Gjirit të Himarës dhe gjirit të Llamanit është bateria bregdetare prej 6 tunelesh për të ruajtur objektet nga sulmet e anijeve. Janë edhe dy tunele të hapura në fshatin Peshkëpi të Vlorës, që mendohet se ka qenë si një pikë ndërlidhje e fuqishme mes dy shtetesh. Në tunelin numër një që është më i madhi janë strehuar nëndetëset, aty ku do të futeshin katrasiluruset që të furnizoheshin me armatime. Në kodër kemi baterinë kundërajrore, te Kalaja e Ali Pashës është vendstrehimi i municioneve dhe përgjatë rrugës janë tunele ku ruhej karburanti dhe depoja e minave për minat e thellësisë, janë tunelet grasove dhe vajrave dhe dy tunele me nga dy rezervuare nga 400 metro kub secili.
Tuneli i Porto Palermos ka të gjitha ambientet ndihmëse që janë për karikimin e baterive të silurueseve, janë ofiçina më vete që i shërbejnë luftës. Këto tunele janë të pajisura me sisteme shumë të fuqishme valëthyese dhe filtroventiluese. Portat janë hermetike që nuk lejojnë pajiset e ndotura brenda në tunel. Tuneli ka pasur shumë drita, siç ishte jashtë, ishte edhe brenda.
Këtu nëndetëset ishin të mbrojtura sepse ky tunel është antibërthamor. Këto porta të tunelit përballonin deri në 10 kiloton bombë atomike përafërsisht sa ajo e Hiroshimës. Ata që e projektuan tunelin hodhën të dhënat e provës së bombës së Hiroshimës. Ky objekt është i paprekshëm. Duhet të shembësh gjithë malin, pastaj të futesh në tunel. Prandaj e kanë zili të gjithë tunelin e Porto Palermos.
Një fatkeqësi e madhe që i ndodhi Porto Palermos ishte 1997-ta. Është vjedhur çdo pjesë konstruksioni metalik i tuneleve, depos së siluruseve, tubacionet që shpërndanin karburantin dhe vajrat e grasot, kabujt elektrik, çdo gjë”, thonë inxhinierët./M.K-dritare.net