Na ndiqni edhe në

Shqip

S'ka më Dubai! Shqipëria, destinacioni i turizmit 2026! Flet Elton Çaushi

S'ka më Dubai! Shqipëria, destinacioni i turizmit 2026! Flet

Ndërsa sezoni turistik po afron dhe Shqipëria vijon të konsolidohet si një nga destinacionet më të kërkuara në Evropë, tensionet gjeopolitike globale po krijojnë një realitet të ri për industrinë e turizmit. Eksperti i turizmit Elton Çaushi nga Albanian Trip, në një analizë në emisionin Shqip me gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, thekson se konfliktet ndërkombëtare, veçanërisht në Lindja e Mesme, sjellin njëkohësisht pasiguri dhe mundësi për Shqipërinë.


Sipas Çaushit, ndikimi i parë është psikologjik. Turistët ndërkombëtarë bëhen më të kujdesshëm në zgjedhjen e destinacioneve, duke shmangur zonat që perceptohen si të afërta me konfliktin. “Është ky meraku i konfliktit, jo aq larg sa do donim ta kishim”, shprehet ai, duke nënvizuar se pasiguria mbetet një faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen e udhëtarëve.



Megjithatë, nëse konfliktet mbeten të kufizuara gjeografikisht, Shqipëria mund të përfitojë ndjeshëm. Destinacione tradicionale si Egjipti, Turqia apo Arabia Saudite mund të humbasin një pjesë të fluksit turistik, duke e orientuar atë drejt vendeve më të sigurta dhe alternative si Shqipëria. “Do ta mendosh dy herë para se të zgjedhësh një destinacion, dhe kjo mund të kthehet në një mundësi për ne”, thekson Çaushi.

Një treg i rëndësishëm për Shqipërinë mbetet edhe ai nga Izraeli, i cili aktualisht ndodhet në një situatë të paqartë për shkak të zhvillimeve të fundit. Megjithatë, sipas ekspertit, turistët izraelitë kanë një tendencë të fortë për të udhëtuar edhe në kushte të vështira, duke e mbajtur këtë treg aktiv pavarësisht situatës.

Përtej mundësive afatshkurtra, Çaushi ngre një shqetësim më të thellë për ekonominë shqiptare. Ai paralajmëron se varësia e lartë nga turizmi e bën vendin të brishtë ndaj krizave globale, siç u pa gjatë pandemisë. “Nëse një konflikt zgjerohet, goditja për turizmin dhe ekonominë do të ishte e menjëhershme. Kjo tregon nevojën për diversifikim ekonomik”, shprehet ai.


Në këtë kontekst, zhvillimet globale nuk duhen parë vetëm si një avantazh i përkohshëm, por si një sinjal për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme. Shqipëria mund të përfitojë nga rrethanat aktuale, por sfida reale mbetet krijimi i një modeli zhvillimi që nuk varet ekskluzivisht nga turizmi.

Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, turizmi shqiptar po lundron mes rrezikut dhe mundësisë dhe mënyra se si do ta menaxhojë këtë ekuilibër do të përcaktojë të ardhmen e tij./K.C/dritare.net