Dhimitri Gusho, ose siç e njohin të gjithë djali i Doktoreshë Merit erdhi sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të rrëfyer historinë e jetës së tij. Miti, siç e thërrasin miqtë tregoi për jetën në Shqipëri para se të emigronte në SHBA, për mamanë Doktoreshë Merin që e njihnin edhe e donin të gjithë, edhe jetën si emigrant në Kanada që prej vitit 1993, në kohën kur Shqipëria po kalonte nëpër tranzicion.
“Unë kam lindur në Tiranë në vitin 1960 dhe jam fëmijë i dy prindërve mjekë. Nëna ime është doktoresha Meri dhe ka qenë mjekja e parë që ka mbaruar mbas çlirimit. Ajo ka qenë mjekja më e njohur në Tiranë. Nëna ime ishte fizioterapiste, por ështe marrë me fëmijët në dispanseri. Unë kam qenë një njeri i privilegjuar në Tiranë, sepse jam djalë i dy mjekëve. Jam rritur në kushte të thjeshta ekonomike financiare. Por mendoj që shpërblimin e mamasë e mora unë gjatë jetës sepse kudo më dilnin pacientë të saj.
Mirësia që ka bërë mamaja ime më ka gjetur mua çdo herë. Historia e këngës së Anita Takes është për nënën time. Nuk është legjendë, është e vërtetë. Anita ka qenë paciente e mamasë dhe familja e saj. Një herë padashur kur isha në shkollë të mesme e kam goditur me top. Ajo më pa me inat. Sa i thashë që jam djali i Merit, më tha: “U të keqen!” dhe më përqafoi.
Mjekët asokohe nuk paguheshin mirë, ama kishin një shpërblim më të çmuar, mirënjohjen. Unë kam punua 10 vjet në Shqipëri para se të vija këtu. Kam punuar pedagog menjëherë pasi mbarova shkollën e inxhinierisë mekanikë. Nuk u bëra dot mjek si mamaja dhe babai, sepse ishte e vështirë atëherë ta fitoje shkollën për mjek.
Vendimi për të emigruar u kushtëzua nga rrethana familjare dhe nuk nguroj të them se ka qenë shumë stresues, pasi si tërë të tjerët krijova një ëndërr në kokë dhe e besova edhe vetë. Ndërkohë, realiteti ishte komplet ndryshe. Më mbajti vetëm sedra, pasi shumë nga studentët që erdhën të më takonin dhe të më përcillnin në Rinas, po të shikonin fytyrën time pas dy javësh do më quanin “humbës”.
Në fillim mendova të duroj 3 vjet që sakrifica të ketë një kuptim. Kam qenë, besoj ndër të parët e ardhur si imigrant me letra të rregullta në Kanada. I pari ose qan ose qesh. Unë qava dhe qava shumë. Mungesa e informacionit, për gjërat edhe më elementare ishte vështirësia më e madhe e fillimit. Nuk gjeja dot informacion as si merrej patenta, apo si të hapja një llogari në bankë, si të lëvizja me autobus dhe shumë gjëra të tjera. Pastaj, si të gjithë, u adaptova dhe kur kaloi koha 3 vjeçare, u mësova dhe nuk e mendova më kthimin. Ndërkohë lindi djali i dytë dhe në kohë mendoj që ka qenë vendim mjaft i drejtë.”, tregon Dhimitri Gusho për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV./K.C/dritare.net