SPAK godet grupin kriminal, 10 të arrestuar dhe 150 mln euro pasuri nën sekuestro
Dritare.net

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash.
Me urdhër të Gjykatës së Posaçme janë caktuar masa sigurie “Arrest në burg” për 10 persona: Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu.
Sipas SPAK, grupi ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine dhe Europë, duke trafikuar dhjetëra tonë kokainë. Hetimet kanë dokumentuar pesë episode të mëdha trafiku, ku janë sekuestruar afro 9 ton kokainë në Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe Kolumbi.
Autoritetet dyshojnë se fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në Shqipëri përmes kompanive, pasurive të paluajtshme dhe projekteve në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe shërbimeve.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 491 pasuri, përfshirë vila, apartamente, hotele, aksione kompanish, automjete, mjete lundruese dhe 209 llogari bankare. Vlera totale e pasurive të sekuestruara vlerësohet rreth 150 milionë euro.
SPAK njoftoi se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve europiane dhe të Amerikës Latine./L.F-dritare.net