
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se mbetet objektivi kryesor i Iranit për një atentat, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë të përshkallëzohen. Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Trump tha se nuk përjashton mundësinë që të jetë shënjestër e regjimit iranian.
Duke folur para gazetarëve pas takimeve në samitin e NATO-s, Trump kujtoi operacionet ushtarake amerikane dhe izraelite kundër drejtuesve iranianë, duke thënë se shumica e tyre janë eliminuar.
"Ata kishin udhëheqës, tani nuk janë më. Pastaj patën një grup tjetër udhëheqësish, edhe ata nuk janë më. Tani kanë një grup të tretë, edhe ata mund të zhduken. Kush e di? Edhe unë mund të mos jem më, sepse jam objektivi i tyre numër një", tha presidenti amerikan.
Trump përdori një gjuhë të ashpër ndaj udhëheqjes iraniane, duke deklaruar se ata janë "llum" dhe se për 47 vjet kanë ndjekur të njëjtën mënyrë veprimi.
"Jam objektivi numër një, sepse ata janë llum. Kështu veprojnë dhe kështu kanë vepruar për 47 vjet. Por unë po bëj atë që është e drejtë për vendin tim", u shpreh ai.
Presidenti amerikan i cilësoi drejtuesit aktualë të Iranit si "pak të çmendur", megjithëse tha se ata duken më racionalë se drejtuesit e mëparshëm të vrarë në sulmet ajrore.
"Grupi i parë u eliminua, edhe i dyti. Ky është grupi i tretë. Mendoj se janë më racionalë, por veprimet e tyre gjatë javëve të fundit tregojnë të kundërtën", deklaroi Trump, duke iu referuar sulmeve iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe përshkallëzimit të fundit të konfliktit.
Kërcënimet ndaj Trump nga Irani datojnë që prej vitit 2020, kur ai autorizoi vrasjen e komandantit iranian Qassem Soleimani në një sulm me dron në Irak. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, autoritetet amerikane kishin rritur masat e sigurisë për Trump, për shkak të informacioneve se agjentë të lidhur me Iranin mund të planifikonin një atentat ndaj tij./dritare.net