Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Braho: Puna e SPAK udhëhiqet nga provat, as nga politika as nga pritshmëritë

Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se fakti që Prokuroria e Posaçme është objekt kritikash nga të dyja krahët e politikës tregon se institucioni po vepron në mënyrë të pavarur dhe është në rrugën e duhur.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, që zgjati rreth tre orë e gjysmë, Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetit të opozitës Erald Kapri, i cili kërkoi garanci se kryeministri Edi Rama nuk është mbi ligjin.

Kapri u ndal te deklaratat kritike të kryeministrit ndaj SPAK dhe pyeti nëse ato kanë ndikuar në punën e institucionit.

Në përgjigje, Braho theksoi se deklaratat politike i konsideron pjesë të retorikës politike dhe se puna e SPAK nuk ndikohet nga presionet apo pritshmëritë politike.

“Deklaratat politike janë retorikë politike. Më vjen mirë ndonjëherë që SPAK-u është i papëlqyeshëm nga të dy krahët politikë, se kjo tregon që institucioni është në rrugën e duhur. Nuk janë vendime që merren në bazë të pritshmërive, por janë vendime që merren për shkak të nevojave të hetimit. Është prokurori zot i çështjes. Për SPAK janë të gjithë të barabartë. Sfida është prova. Askush nuk është imun ndaj hetimit, në rastet kur ka prova se mund të ketë kryer vepër penale”, deklaroi kreu i SPAK.