Video/ Kalaja e Ali Pashës, dikur dhe sot
Dritare.net
Fotoreporteri britanik Robert Hackman realizoi një dokumentar brenda Kalasë se Ali Pashës bashkë me DritareTV. Ai tregon si ishte dikur kalaja, kur e vizitoi rreth 20 vjet më parë dhe si është sot që po vizitohet nga mijëra turistë.
“Epo, ky është një transformim mjaft i madh. Unë kam 20 vjet që nuk kam qenë brenda kësaj kalaje dhe atëherë nuk kishte tarifë, direkt hyje brenda. Nuk ishte e rregullt dhe e pastër si sot. Nuk mund t’i shihje dyshemetë me gurë që duken kaq bukur pas shekujsh përdorimi. Është një kështjellë kaq e bukur në një mjedis kaq të mrekullueshëm. Dhe sa mirë që sot e shoh kaq të rregullt dhe të pastruar.
Mesi i kështjellës është një zonë e hapur me paradhoma të ndryshme që dalin prej saj. Kjo kala iu dha edhe britanikëve për t'u përdorur në fillim të viteve 1800. Ali Pasha, i cili kishte në dorë këtë kala, ua dha gjatë Luftërave Napoleonike. William Leake, i cili ishte një diplomat dhe atashe ushtarak britanik i Ali Pashës dhe sundimtarëve të tjerë të kësaj zone, e inspektoi këtë kështjellë në vitin 1806 dhe të vetmit që i mbronin atë ishin dhjetë ushtarë dhe dy armë prej katër kilogramësh.
Pra, Ali Pasha nuk i kushtoi shumë rëndësi strategjike këtij instalimi. Prandaj ai ua dha britanikëve për ta përdorur në Luftërat Napoleonike. Asnjëherë nuk u përdor aq shumë dhe pas vdekjes së Ali Pashës u shndërrua në gërmadhë.", tregon fotoreporteri britanik./K.C/dritare.net