Amerika po fiton pa mëshirë! Sekretari Pete Hegseth: Regjimi iranian ka marrë fund!
Dritare.net

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Pentagon se Shtetet e Bashkuara po fitojnë bindshëm në përballjen ushtarake me Iranin, duke theksuar se operacionet kanë hyrë vetëm në ditën e katërt.
“Amerika po fiton, vendosmërisht, shkatërrueshëm dhe pa mëshirë”, u shpreh ai, duke shtuar se administrata e Donald Trump do të marrë “gjithë kohën e nevojshme” për të garantuar suksesin e operacionit.
Hegseth vlerësoi gjithashtu rolin e Izraelit në konflikt, duke e cilësuar veprimin e tij si të realizuar me “aftësi të pakrahasueshme dhe vendosmëri prej hekuri”. Sipas tij, luftimi përkrah një aleati kaq të aftë është “një frymë e re”, ndërsa e përshkroi ndërhyrjen si “veprim të guximshëm” të presidentit Trump në funksion të politikës “America First”.
Sekretari i Mbrojtjes paralajmëroi se ofensiva do të vijojë me intensitet të shtuar. “Më shumë dhe më të mëdha valë po vijnë, sapo kemi filluar”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo “nuk ishte menduar kurrë të ishte një luftë e barabartë” dhe se SHBA po godet Iranin “ndërsa është i dobësuar”.
Duke iu referuar zhvillimeve të katër ditëve të fundit, Hegseth i cilësoi rezultatet si “të pabesueshme, historike”. Ai tha se forcat amerikane kanë nisur të “gjuajnë, shpërbëjnë, demoralizojnë, shkatërrojnë dhe mposhtin” kapacitetet e regjimit iranian. “Ata janë të mbaruar dhe e dinë këtë”, u shpreh ai, duke shtuar se drejtuesit në Teheran do të shohin vetëm “fuqi ajrore amerikane dhe izraelite” deri në momentin kur SHBA dhe Izraeli të vendosin për përfundimin e luftës.
Në deklaratën e tij, Hegseth bëri të ditur se në Oqeanin Indian, SHBA ka fundosur “një anije luftarake iraniane që mendonte se ishte e sigurt në ujëra ndërkombëtare”, duke theksuar se ajo u godit nga një silur. Ai nuk përmendi emrin e anijes, por më herët marina e Sri Lankës raportoi se anija iraniane IRIS Dena ishte fundosur në Oqeanin Indian, me rreth 140 persona në bord të raportuar si të zhdukur.
Deklaratat e Hegseth përforcojnë retorikën e ashpër të administratës amerikane dhe sinjalizojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të operacioneve ushtarake kundër Iranit./K.C/dritare.net