Më rrahën kudo/ 38-vjeçarja rrëfen si u rrëmbye në Irak dhe si iku me videomesazhe të koduara!
Dritare.net

Një grua 38-vjeçare izraelite ka folur hapur për kohët e tmerrshme që ka përjetuar ndërsa mbahej peng në Irak për dy vjet e gjysmë. Elizabeth Tsurkov rrëfeu torturat dhe abuzimin seksual që pësoi pasi u akuzua si spiune nga anëtarët e Kataib Hezbollah. Milicia e mbështetur nga Irani, e cila është në listën amerikane të organizatave terroriste, "më përdori si një thes boksi", tha Elizabeth për New York Time . "Më fshikulluan të gjithë trupin", tha ajo.
E varën nga tavani, e rrahën derisa i ra të fikët dhe i dhanë goditje elektrike.
Elizabeth, një studente doktorature në Universitetin Princeton në New Jersey, u rrëmbye më 21 mars 2023, pasi një grua që ajo kishte kërkuar të takonte në një kafene në Bagdad për ta ndihmuar në kërkimin e saj mbi ISIS nuk u shfaq kurrë. Studentja ishte në Irak për të studiuar lëvizjen shiite dhe pranoi të takohej me gruan pasi ajo i tha se kishin një mikeshë të përbashkët. Megjithatë, takimi nuk u zhvillua kurrë pasi gruaja nuk u shfaq. Elizabeth po kthehej në shtëpi kur u rrëmbye nga burra në një SUV të zi.
Edhe pse ajo bërtiti për ndihmë dhe u përpoq të arratisej, rrëmbyesit e saj e rrahën dhe e abuzuan seksualisht. "Ata filluan të më përdredhnin gishtin e vogël, gati sa nuk e thyen. Kështu që mendova se ishte e kotë të rezistoja më gjatë", tha ajo.
Rrëmbyesit i kishin vënë një qese mbi kokë Elizabeth-ës dhe i kishin lidhur duart. E çuan në një dhomë në një shtëpi që nuk kishte dritare, vetëm dy kamera, dhe ajo u mbajt atje për katër muaj e gjysmë në vijim. Kur kuptuan se ishte nga Izraeli, anëtarët e Kataib Hezbollah besuan se ajo ishte spiune. Ajo mohoi çdo përfshirje, duke këmbëngulur se mbështeste të drejtat palestineze dhe ishte kritike ndaj qeverisë izraelite.
Ajo refuzoi të rrëfente se ishte spiune, dhe si rezultat, u "var dhe u torturua".
Ajo tha se filloi të sajonte rrëfime në mënyrë që rrëmbyesit e saj të mund të hanin dhe të pushonin. Pastaj, një burrë i njohur si "Koloneli" e ngacmoi seksualisht dhe e kërcënoi se do ta përdhunonte. "Ai ishte shumë i ndyrë dhe i fiksuar pas seksit", sipas Elizabeth-ës.
Kërcënimet për abuzim seksual vazhduan, sipas 38-vjeçares, por ajo nuk u sulmua.
Qeveria izraelite e njohu atë si peng dhe qeveria irakiane kaloi disa muaj të tjerë për të vërtetuar se ajo ishte gjallë. Në një video të transmetuar në televizionin irakian në nëntor 2023, anëtarët e Kataib Hezbollah dyshohet se e detyruan Elizabeth të thoshte se po punonte për CIA-n dhe inteligjencën izraelite. Megjithatë, ajo përdori mesazhe të koduara për të zbuluar atë që po përjetonte. Për të treguar se po e rryenin, ajo tha se jetonte në lagjen Gan HaHashmal. "Hashmal" është fjala hebraike për energji elektrike.
Në të njëjtën kohë, ajo shpiku emra për trajnerët e saj të dyshuar, duke thënë se punonte me një burrë të quajtur "Ethan Numia". "Inuim" është fjala hebraike për torturë./dritare.net