
Nga tempujt te turistët! Lufta për kanoçet e gjelbra në zemër të Japonisë!
Dritare.net
Nga Marina Wang-BBC
Ora 10:00 është moment kyç në Uji, një qytet i vogël pranë Kiotos, i famshëm për çajin e tij të gjelbër të bluar, matcha. Dyqanet hapen dhe turma turistësh vërshojnë brenda, me sytë nga kanaçet e gjelbra që përmbajnë një nga çajet më të çmuara në Japoni.
Teksa zbres nga treni dhe shkoj drejt Nakamura Tokichi Honten, dikur furnizuesi i çajit për perandorin japonez, shpresoj të zë një vend në kafenenë e tij legjendare. Por nuk jam e vetmja me këtë ide, 35 vetë janë para meje në radhë.
Brenda dyqanit, çdo produkt i mundshëm është përzier me matcha: akullore, ëmbëlsira, madje edhe noodles. Por ajo që kërkoj është vetë pluhuri, matcha e pastër. Në një cep të dyqanit, një punonjëse përpiqet më kot të mbushë raftet: çdo kanaçe merret nga duar të paduruara që e rrethojnë, disa madje i marrin drejt nga shporta e saj. Brenda pesë minutave, gjithçka mbaron, përcjell dritare.net
Një grua thërret në anglisht: “Mbaroi! E gjithë matcha u ble.” E humbur mes turmës, arrij të kap një kanoçe të bardhë, nuk e di çfarë lloji është, as sa kushton. Një burrë gjerman përpara meje mbush një qese me 30 kanoçe dhe thotë krenarisht: “Sapo shpenzova 250 euro për çaj.”
Në Uji, dyqane si Tsujirihei Honten, i themeluar në vitin 1860, nuk arrijnë të përmbushin kërkesën. Edhe pse ofrojnë mbi 20 lloje të matcha-s, në raft kanë vetëm 3–4. Çaji ceremonial, i bërë nga gjethe të reja të rritura në hije, është më i rrallë, më i pasur në shije dhe i pamundur për prodhim masiv. Çdo gur që bluhet tradicionalisht jep vetëm 400 gram pluhur në tetë orë punë, mjaftueshëm për rreth 13 kanoçe.
Kërkesa është rritur ndjeshëm nga popullariteti global i matcha-s, i lidhur me përfitimet shëndetësore dhe ndikimin në rrjetet sociale. Vetëm në vitin 2023, Japonia prodhoi mbi 4,100 tonë matcha, trefishi krahasuar me 2010-n, por kjo nuk mjafton për turmat që çdo ditë zbarkojnë në Uji.
Tomomi Hisaki, drejtore e përgjithshme në Tsujirihei, shpjegon se shumë turistë blejnë në sasi të mëdha çaj ceremonial, shpesh për ta përdorur për latte apo ëmbëlsira duke lënë tempujt dhe mësuesit e ceremonive tradicionale pa furnizime. “Matcha ceremoniale nuk është për t’u masivizuar. Duhet të konsumohet me respekt për qëllimin e saj,” thotë ajo.
Simona Suzuki, presidente e Shoqatës Globale të Çajit Japonez, thekson: “Shpresojmë që turistët të mendojnë për përdorimin e vërtetë të matcha-s dhe të mos e blejnë vetëm për modë.”
Edhe pse kanoçet janë rralluar, Uji ofron një përvojë unike për të gjithë dashamirësit e çajit. Në fund, blej një pluhur të ëmbëlsuar matcha që tretet lehtë në ujë, perfekt për një latte të ngrohtë.
Nuk ishte çaji i perandorit, por për mua mjaftoi. Dhe më mbetet pyetja: sa kanoçe do të kisha marrë vetë, nëse do kisha mundësi?/K.C/dritare.net

















