
Zjarri te plehrat në Vlorë, Dredha: Kallëzim penal për përgjegjësit!
Dritare.net
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka reaguar pas djegies së mbetjeve në fushën e plehrave, një ngjarje e përsëritur që përkon me nisjen e sezonit turistik dhe rrezikon imazhin e qytetit. Në një deklaratë publike, Dredha e cilësoi ngjarjen si pasojë të zjarrvënies së qëllimshme apo papërgjegjshmërisë njerëzore, duke theksuar se nuk do të ketë më tolerim për raste të tilla. Ai bëri të ditur se Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka depozituar kallëzim penal ndaj të gjitha hallkave përgjegjëse për monitorimin dhe parandalimin e këtyre rasteve, përfshirë edhe institucionet që varen nga vetë bashkia.
Ja postimi i Dredhës:
“Si pasojë e një rrethane të përsëritur dhe të patolerueshme të zjarrëvënies së qëllimshme apo papërgjegjshmërisë njerëzore, në fushën e mbetjeve, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, përfshi edhe institucionet që varen nga bashkia.
Organet ligjzbatuese janë vënë në veprim për të dënuar cilindo që përpiqet të dëmtojë imazhin e qytetit në nisjen e sezonit turistik.
Sidoqoftë, janë marrë masat e menjëhershme për shuarjen e zjarrit dhe mospërsëritjen e kësaj ngjarje të shëmtuar!”, shkruan Dredha./K.C/dritare.net

















