Plani i Trump për rendin e ri botëror e vë Evropën përballë një zgjedhjeje historike
Dritare.net

Nga Allan Little-BBC
Për 80 vjet me radhë, lidhja mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës është mbështetur mbi dy shtylla kryesore: angazhimin e përbashkët për mbrojtjen dhe një sistem vlerash të përbashkëta, mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Kjo epokë nisi në mars të vitit 1947, me një fjalim 18-minutësh të presidentit Harry Truman, në të cilin ai u zotua për mbështetjen amerikane ndaj Evropës për ta mbrojtur nga zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Sovjetik. Amerika udhëhoqi krijimin e NATO-s, Bankës Botërore, FMN-së dhe Kombeve të Bashkuara, duke u lidhur fort me atë që më pas u quajt “rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla”. Ky rend synonte që shtetet të ndanin barrën dhe përgjegjësitë për të mbrojtur botën demokratike nga fuqitë autoritare armiqësore.
Sot, Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSS), e publikuar në dhjetor, sinjalizon qartë se për Shtëpinë e Bardhë ky angazhim i përbashkët ka marrë fund. Shumë nga supozimet themelore mbi rolin e Amerikës në botë, sipas këtij dokumenti, i përkasin së shkuarës.
Vetë termi “i ashtuquajturi rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla” vendoset në thonjëza, një mënyrë e nënkuptuar për ta delegjitimuar atë rend me anë të gjuhës.
Paralajmërimi i Vance dhe “lufta ideologjike”
Në shkurt 2025, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance paralajmëroi aleatët evropianë për këtë ndryshim kursi. Ai deklaroi hapur se kërcënimi kryesor për Evropën nuk vjen nga Rusia, por nga brenda: nga censurimi i fjalës së lirë, shtypja e opozitës politike dhe minimi i demokracisë evropiane. Ai sulmoi ashpër atë që e quajti “rrjeti liberal i majtë”.
Gazeta franceze Le Monde e cilësoi këtë fjalim si një shpallje “lufte ideologjike” ndaj Evropës. Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare i përkthen këto deklarata në doktrinë zyrtare.
Sipas Karin von Hippel, ish-zyrtare e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Amerika nuk është më vendi që promovon vlerat globale të pas Luftës së Dytë Botërore. “Ajo po zhvendoset drejt një pozicioni krejt tjetër.”
Nga rendi i rregullave te politika e fuqive të mëdha
Dokumenti argumenton se strategjia amerikane ka devijuar për dekada, për faj të “elitave të politikës së jashtme”, të cilat – sipas NSS-së – e lidhën SHBA-në me institucione ndërkombëtare të shtyra nga antiamerikanizmi dhe nga një transnacionalizëm që synon të dobësojë sovranitetin e shteteve.
Strategjia e re shpall qartë se njësia themelore e politikës botërore mbetet shteti-komb dhe se fuqia e shteteve të mëdha është një realitet i përhershëm i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo qasje u përshëndet nga Kremlini, i cili e pa dokumentin si të afërt me mendimin rus. Sipas ish-shefit të forcave të armatosura britanike, Lord Richards, Trump, Xi dhe Putin po përpiqen ta rikthejnë botën në një epokë të politikës së fuqive të mëdha.
Rikthimi i Doktrinës Monroe
Operacioni ushtarak amerikan në Karakas, që çoi në kapjen e Nicolas Maduros dhe bashkëshortes së tij, shihet si shembulli i parë i këtij unilateralizmi sovran agresiv. Edhe pse ligjshmëria ndërkombëtare e veprimit është vënë në dyshim, Uashingtoni këmbëngul se ai ishte i ligjshëm sipas ligjit amerikan.
Strategjia e re shpall të drejtën e SHBA-së për të qenë fuqia dominuese në hemisferën perëndimore, duke ringjallur Doktrinën Monroe të vitit 1823. Synimi është kufizimi i ndikimit kinez në Amerikën Latine, veçanërisht në zona strategjike si Kanali i Panamasë.
Heqja dorë nga presioni për të drejtat e njeriut
Sipas NSS-së, SHBA-ja nuk do të ushtrojë më presion ndaj regjimeve autoritare për përmirësimin e të drejtave të njeriut. Në Lindjen e Mesme, për shembull, Amerika deklaron se do të pranojë vendet dhe udhëheqësit “ashtu siç janë”, duke bashkëpunuar vetëm mbi interesa të përbashkëta.
Kjo tolerancë, nuk zbatohet ndaj Evropës.
Evropa në udhëkryq
Dokumenti është tejet kritik ndaj “trajektores aktuale” të Evropës, duke ngritur dyshime mbi besueshmërinë e disa vendeve evropiane si aleatë afatgjatë. Ai flet për rrezikun e “zhdukjes qytetëruese” dhe për faktin se disa vende të NATO-s mund të bëhen shumicë joevropiane brenda disa dekadash.
Nga ana tjetër, mbështetësit e strategjisë argumentojnë se beteja është qytetëruese dhe se Bashkimi Evropian, me centralizimin e tij, po minon interesin kombëtar të shteteve anëtare, përcjell dritare.net
Një aleat i pasigurt, por i domosdoshëm
Shumë në Evropë kanë filluar të dyshojnë se SHBA-ja nuk është më një aleate e besueshme, në një kohë kur Rusia mbetet një kërcënim serioz. Megjithatë, shkëputja nga Amerika është e vështirë, e ngadaltë dhe jashtëzakonisht e kushtueshme.
Siç shprehet Sir Lawrence Freedman, Evropa gjendet përballë një dileme: nuk mund të mbështetet plotësisht te SHBA-së, por as nuk është ende në gjendje të veprojë e pavarur pa të.
Luftërat kulturore dhe pasojat globale
Strategjia e re reflekton luftërat kulturore që përçajnë shoqërinë amerikane, duke i shndërruar ato edhe në politikë të jashtme. Rusia nuk përmendet si armike, pavarësisht pushtimit të Ukrainës. Për disa në bazën MAGA të Trump, Vladimir Putin shihet jo si kundërshtar, por si aleat natyror në mbrojtje të një qytetërimi të bardhë, të krishterë dhe nacionalist.
Në këtë kuptim, dokumenti nuk sinjalizon thjesht një ndarje mes Amerikës dhe Evropës, por një përçarje të thellë brenda vetë Perëndimit./dritare.net