Veliaj në gjyq: Ols Dado hetoi 21 Janarin, Strasburgu e rrëzoi atë hetim
Dritare.net

Një zhvillim i ri doli në dritë gjatë seancës së sotme në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet kërkesëpadia për shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados si prokuror. Gjatë procesit u bë me dije se Dado ka qenë pjesë e hetimit për ngjarjet e 21 janarit 2011, një hetim që më vonë u cilësua me mangësi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Duke iu referuar këtij fakti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se kjo përbën një arsye shtesë që ai të jetë palë në procesin gjyqësor, duke lidhur rolin e Dados në hetimin e 21 Janarit me padinë që po shqyrtohet aktualisht.
“U përmend një vendim i GJEDNJ-së, të Strasburgut, për ’21 janarin’, ku prokuror i ’21 janarit’ ishte Ols Dado. Strasburgu e vlerësoi hetimin për ’21 janarin’ një hetim të metë. Strasburgu tha, ‘ky është një hetim i metë, këtu ka ndërhyrje në hetim’. Tani, ky prokuror më ka rënë edhe mua, kështu që, patjetër që këta (Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”) janë të legjitimuar sepse paskan zbuluar se ky qenka një shkelës sistematik.
Pra, noteri me pesa, bëhet prokuror dhe të bëka hatanë. Patjetër, unë jam edhe kryetar i PS për Tiranën. Aty u vranë 4 socialistë. Unë paskam edhe një arsye tjetër për të qenë në këtë proces sepse prokurori i ’21 janarit’, hetimet e të cilit i rrëzoi Strasburgu, ishte ai që hetoi vrasjen e 4 socialistëve. Pra, qenka edhe një element tjetër i legjitimimit: si individ, si kryetar bashkie dhe si përfaqësues i PS Tiranë, ku u lanë rrugët me gjak, dhe ky prokuror kishte për detyrë ta hetonte dhe hetimi i ra në Strasburg si i metë”, tha Veliaj në fjalën e tij në seancë./K.C/dritare.net