Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria zgjidhet anëtare e Komitetit Ndërqeveritar të UNESCO-s

Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për mandatin 2026–2030. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, e cila njofton se vendi ynë siguroi 73 vota në favor, duke fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë një rol aktiv në forumin kryesor global të vendimmarrjes për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale.

"Shqipëria zgjidhet anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO për mandatin 2026–2030.

Me 73 vota në favor, vendi ynë ka fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë një rol aktiv në forumin më të rëndësishëm global për vendimmarrje në mbrojtjen, promovimin dhe rritjen e kapaciteteve të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Ky është një moment krenarie për Shqipërinë dhe një vlerësim i punës së institucioneve tona, ekspertëve, komuniteteve bartëse të trashëgimisë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë tonë shpirtërore.

Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjitha shtetet që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë dhe na besuan këtë mandat katërvjeçar. Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale.", thuhet në njoftimin e Ministrisë./K.C/dritare.net