PE miraton amendamentin për gjuhën shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut
Dritare.net

Parlamenti Evropian ka miratuar një amendament në raportin për Maqedoninë e Veriut, ku i bën thirrje autoriteteve të vendit të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës.
Eurodeputetët kërkojnë që të sigurohet zbatimi praktik i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, jo vetëm në ligj, por edhe në frymën e saj. Gjithashtu, Parlamenti Evropian thekson se protestat e studentëve shqiptarë nuk duhet të paraqiten si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues.
“I bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues.”
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur protesta të shumta të studentëve shqiptarë në Shkup gjatë muajve të fundit. Studentët kërkojnë që e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe, e parashikuar nga legjislacioni dhe Marrëveshja e Ohrit, të zbatohet edhe në provimet shtetërore për licencimin profesional.
Miratimi i amendamentit konsiderohet si një mbështetje e qartë e institucioneve europiane për kërkesat e studentëve shqiptarë dhe për respektimin e të drejtave gjuhësore në Maqedoninë e Veriut./K.C/dritare.net