Na ndiqni edhe në

Editorial

Samir Mane ose Prigozhini i Edi Ramës 

Samir Mane ose Prigozhini i Edi Ramës 

Nga Dritan Hila

Pas pothuajse shpërbërjes së opozitës shqiptare, media ngre pyetjen se kush do t’i dalë përballë Edi Ramës. Disa kanë hedhur idenë që ka për të dalë edhe këtu një individ që të jetë Prigozhini shqiptar, pas lajthitjes së shefit të Wagner për të sulmuar krijuesin e tij dhe marshuar mbi Moskë.
Në fakt ne e kemi një të tillë dhe ka ca kohë që ka filluar marshimin drejt Kryeministrisë, por ca më i butë dhe më racional se rebeli rus. Është Samir Mane, pronari i Balfin Group.
Deri para dhjetë vitesh, Mane ka qenë profil i ulët publik, me dalje më shumë nëpër qokat e shefave politikë sesa veprimtari të pavarura. Me fillesa si tregtar lavatriçesh, në periudhën e Berishës filloi të mbizotërojë tregun e elektroshtëpiakeve, më pas të lodrave për fëmijë dhe pajisjeve të kuzhinës. Filloi ndërtimin e rezervateve të tipit Rollin Hills ku grumbullohen të pasurit shqiptarë, por edhe të pallateve. Ardhja e Ramës nuk e tkurri, përkundrazi gjeti një terren të ngrohtë.
Shtrirja e tij në tregti, ndërtime, porte dhe më vonë në banka (është zotërues i Tirana Bank dhe për pak zotëroi edhe Raiffaisen Bank), e bëjnë shumë të madh për mos ta ndjellë të bëhet pjesë e politikës. Është në një fazë kur qenia në politikë i kursen pagesat lart e poshtë për t’u mbrojtur nga kundërshtarët, por edhe ndaj hetimeve që mund të bëjë drejtësia për burimet e të ardhurave, burimet e pronave apo marrëdhëniet okulte me pushtetet. Ndaj ka filluar ofensivën.
Në planin politik e favorizon përçarja e të djathtës. Ka filluar krijimin e një profili të djathtë me intervista ku tregon prejardhjen e tij nga diversantë dhe antikomunistë. Natyrisht qe nuk ka tanket e Prigozhin, por ka median e cila i krijon profilin e një bamirësi që bën fondacione bamirësie dhe fal një shtëpi të varfërve; të një intelektuali që lidh marrëveshje me universitete për shkëmbim eksperience; të një tifozi që është i kënaqur që Uzuni blen shtëpi në rezervatet e tij.
Vërtet nuk ka mercenarë të armatosur me kallashnikov, por çuditërisht shtypi ose i thur lavde ose ka zagarë sulmi që i sulen kujtdo që vë në dyshim burimet e pasurisë së tij apo sjelljen publike të Samir Manes.
Në kushtet kur e djathta është në zgrip të ekzistencës së saj, marshimi i Manes është shumë më serioz dhe i organizuar se ai i Prigozhin pasi nëse i pari ka 8 mijë mercenarë në një Rusi prej 144 milionë banorësh, Mane ka më shumë votues dhe familjarë të tyre që u jep rrogën. Në rrethimin e Kryeministrisë nuk do dëgjojmë zinxhirët e tankeve pasi nuk është as në stilin e Manes dhe as në mjetet e tij, por do asistojmë në një shtrëngim si të bollës që ta detyrojë Ramën të hapë rrugë.
Sa kohë do zgjasë, kjo varet nga dekompozimi i së djathtës, por rasti i Tom Doshit ka treguar që përparimi i partive që kanë lidhje me biznesmenë nuk është i ngadaltë. Aq më shumë kur Mane është më i madh dhe më i organizuar se të tjerët dhe vepron mbi gërmadhat e së djathtës që nuk gjen dot lider.
Shembulli i Berluskonit është frymëzues për shumë biznesmenë në vendet e botës së tretë, aq më tepër në Shqipëri ku ka një fetish ndaj të pasurve dhe të fortëve si njerëz të zotë me shpresën që derisa pasuruan veten do pasurojnë edhe zgjedhësit.
Ndoshta marshimi i tij në politikë nuk do të jetë aq i rrufeshëm sa ai i Berluskonit, por padyshim që është një marshim i cili ka filluar./dritare.net