Mjekët e “Mbretëresha Geraldinë” trajnohen në Romë për kirurgjinë robotike gjinekologjike
Dritare.net

Një grup mjekësh nga Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” mori pjesë në një trajnim të specializuar në kirurgjinë robotike gjinekologjike, zhvilluar në Università degli Studi di Roma “La Sapienza”, një nga universitetet më të njohura në Itali dhe Evropë për inovacionin në mjekësi.
Ky trajnim synon përvetësimin e teknikave më të avancuara kirurgjikale që përdoren sot në ndërhyrjet gjinekologjike, përmes teknologjisë së robotikës — një fushë që po transformon mënyrën si trajtohen pacientet në shumë spitale moderne në botë.
Gjatë qëndrimit në Romë, mjeket shqiptare morën pjesë në seanca teorike dhe praktike, duke ndjekur nga afër ndërhyrje robotike të kryera nga kirurgë italianë me eksperiencë ndërkombëtare.
Kjo përvojë u shoqërua me shkëmbime profesionale mes stafit të “Mbretëresha Geraldinë” dhe specialistëve të “La Sapienza”, me synimin për të ndërtuar një bashkëpunim afatgjatë ndërmjet dy institucioneve.
“Ky trajnim është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve për pacientet shqiptare,” – thanë përfaqësues nga spitali.
“Synojmë që përmes këtyre përvojave, të sjellim në Shqipëri praktika të reja, të sigurta dhe më pak invazive për gratë që kanë nevojë për trajtime kirurgjikale.”
Kirurgjia robotike lejon ndërhyrje me precizion më të lartë, prerje më të vogla, më pak dhimbje dhe rimëkëmbje shumë më të shpejtë për pacientet.
Falë këtyre trajnimeve, Spitali “Mbretëresha Geraldinë” po përgatitet të bëhet një qendër referimi për gjinekologjinë moderne në Shqipëri.
Ky bashkëpunim mes Tiranës dhe Romës është dëshmi e përkushtimit për të sjellë në vend standarde europiane, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në arsimimin dhe trajnimin e stafit mjekësor shqiptar./dritare.net
View this post on Instagram