A mund të sulmohet Shqipëria nga Irani? Analisti Ruel Domi: Rreziku ekziston, por...
Dritare.net

Analisti Ruel Domi ishte i ftuar në emisionin “Intervista e ditës” në DritareTV, ku komentoi zhvillimet e fundit të konfliktit me Iranin dhe ndikimin e tyre në rajon dhe në Shqipëri.
Duke iu referuar raportimeve për një raketë të lëshuar nga Irani që ka kaluar mbi territorin turk, Domi e cilësoi situatën si një përshkallëzim serioz, sidomos për faktin se Turqia është vend anëtar i NATO-s. Sipas tij, çdo sulm ndaj një vendi të NATO-s aktivizon parimin e mbrojtjes kolektive të Aleancës.
Ai theksoi se, sipas informacioneve paraprake, raketa balistike kishte si objektiv një bazë në Qipro dhe u neutralizua nga avionë të NATO-s, ndërsa Ankaraja ka paralajmëruar përgjigje ndaj Teheranit. Sipas Domit, sulmet e Iranit ndaj vendeve të rajonit përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe rrezikojnë jo vetëm sigurinë, por edhe ekonominë globale, duke përmendur ndikimin që ka tensioni në Ngushticën e Hormuzit mbi çmimet e naftës dhe inflacionin.
Në analizën e tij gjeopolitike, Domi argumentoi se zhvillimet aktuale janë pjesë e një riformatimi të rendit botëror, ku Lindja e Mesme mbetet në zonën e influencës amerikane. Sipas tij, Irani përfaqëson “fortesën e fundit” të Rusisë dhe Kinës në rajon, dhe rënia e regjimit iranian do të sillte dominancë të plotë amerikane dhe izraelite.
I pyetur për rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore, ai u shpreh se një skenar i tillë do të realizohej vetëm në rast të një përballjeje të drejtpërdrejtë mes fuqive të mëdha, si SHBA dhe Rusia apo SHBA dhe Kina. “Një përplasje mes NATO-s dhe Iranit nuk do të përbënte automatikisht luftë botërore,” tha ai, duke shtuar se aktualisht bota ndodhet në një fazë tranzicioni mes dy rendeve globale.
Sa i përket skenarëve të mundshëm, Domi parashikoi kapitullimin e Iranit brenda një periudhe relativisht të shkurtër, duke argumentuar se SHBA-ja dhe Izraeli nuk kanë përdorur ende kapacitetet e tyre të plota ushtarake. Ai citoi edhe deklaratat e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, sipas të cilit kontrolli i hapësirës ajrore iraniane mund të arrihet brenda pak ditësh.
Në lidhje me Shqipërinë, analisti theksoi se rreziku ekziston, por mbetet i ulët. Ai përmendi faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe përfiton nga mbrojtja kolektive, por gjithashtu kujtoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pas sulmit kibernetik të vitit 2022.
Domi nënvizoi se Ballkani nuk është aktualisht në rrezik destabilizimi ushtarak, megjithëse ekzistojnë tentativa për destabilizim përmes luftës hibride dhe dezinformimit. Ai shtoi se Bashkimi Evropian ndjen kërcënim kryesisht nga Rusia, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e raketave me rreze të gjatë iraniane ndaj Europës.
Në fund, ai bëri thirrje që Shqipëria të marrë masa konkrete për forcimin e sigurisë, përfshirë rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, investime në teknologji ushtarake dhe përballjen me luftën hibride. Megjithatë, mesazhi i tij për qytetarët ishte i qartë: “Nuk ka vend për panik. Institucionet duhet të informojnë dhe qytetarët duhet të vazhdojnë jetën normalisht.”/K.C/dritare.net