Na ndiqni edhe në

Emisionet

Alesia Balliu: Pse po garoj për kryetare të PD-së!

Alesia Balliu: Pse po garoj për kryetare të PD-së!


E ftuar në emisionin Intervista e Ditës, në DritareTV, avokatja Alesia Balliu foli për kandidaturën e saj për kreun e Partisë Demokratike, duke u shprehur se qëllimi i saj është për të dhënë një mesazh të qartë për rinovimin dhe demokratizimin e partisë. Zgjedhjet për kryetarin e PD-së janë planifikuar për më 23 maj 2026.

Balliu tha se kandidatura e saj nuk ka të bëjë me interes personal, por me nevojën për të hapur rrugën për gjeneratën e re të demokratëve:

“Këtë nismë e vendosa për shkak të shumë individëve, të rinj e të reja, që më kanë shkruar mesazhe pafund nga diaspora, të cilët duan që Partia Demokratike të riformohet, të jetë më e fortë, më e bashkuar dhe fituese nesër,” tha Balliu.


Ajo shtoi se vendimi për të kandiduar erdhi pas një periudhe gjatë së cilës pa mungesën e meritokracisë brenda strukturave të partisë:

“Kur pashë që individë të paaftë përfitonin dhe ata që punonin mënjanohej, vendosa të reagoj duke garuar vetë dhe duke dhënë një shembull ndryshe nga ajo çfarë përfaqëson sot kryetari aktual,” tha Balliu.

Duke theksuar dallimet mes saj dhe Berishës, Balliu u shpreh:

“Më dallon fakti se dua garën, meritokracinë dhe punën. Rinia dhe individët që punojnë duhet të jenë ballë përballë strukturave të partisë. Kryetari aktual ka penguar hapjen dhe rinovimin e PD-së, ndërkohë që unë jam për një parti ku fituesit vlerësohen dhe jo të mënjanohet puna e tyre.”
Balliu nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në Partinë Demokratike:

“Rinia është e ardhmja e partisë. Vetëm rinia me energji, përkushtim dhe ide të reja mund ta riformojë PD-në dhe ta bëjë atë fituese. Politikat reale, jo servilizmi, janë çelësi i një partie të fortë,” tha ajo.
Avokatja theksoi se kandidatura e saj është gjithashtu një mesazh për demokratët që të kërkojnë ndryshim dhe të demokratizojnë çdo strukturë të partisë:

“Ka ardhur koha që kjo parti të marrë frymë, të demokratizohet dhe të garojë me meritë. Fituesit duhet të jenë përballë strukturave të partisë, jo humbësit. Ky është mesazhi im për të gjithë demokratët,” përfundoi Balliu.
Në përfundim të intervistës, Balliu u shpreh se kandidatura e saj është një hap për të hapur diskutim dhe për të dhënë një frymë të re në PD:

“Unë jam e lirë të jap opinionet e mia dhe të kontribuoj për demokratizimin dhe riformatimin e partisë. Ky është shembulli që duhet të japë një njeri që dëshiron ta çojë PD-në përpara,” tha Balliu./K.C/dritare.net