
Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, është liruar nga paraburgimi pas arritjes së një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit të rastit është ndërprerë masa e paraburgimit ndaj tij, pasi janë shuar arsyet ligjore që e mbanin në këtë masë. Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, bëri të ditur se i pandehuri ka pranuar fajësinë për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
“Pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë me Prokurorin e Shtetit, kanë pushuar arsyet ligjore për paraburgim, prandaj është kërkuar ndërprerja e kësaj mase”, deklaroi Shala.
Lirimin e Gjestit e konfirmoi edhe avokati i tij, Artan Qerkini, i cili theksoi se këngëtari do të vazhdojë procesin gjyqësor në liri.
Gjesti ishte arrestuar nën dyshimet për kërcënim me armë zjarri ndaj pronarit të një kompanie muzikore, ndërsa më 13 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh./K.C/dritare.net