Na ndiqni edhe në

Emisionet

Majko: Serbia e ka frikë Shqiperinë, ndaj ka bërë çdo gjë të na shkatërrojë!

Majko: Serbia e ka frikë Shqiperinë, ndaj ka bërë çdo

Në një intervistë të vitit 1999 me gazetaren Rudina Xhunga, Pandeli Majko, atëherë kryeministër, rrëfente për qëndrimin shqiptar përballë krizës së Kosovës, menaxhimit të fluksit të refugjatëve dhe sfidave të ardhshme. Duke folur me optimizëm dhe vendosmëri, Majko theksonte se ndërsa Milosheviçi synonte të shkaktonte kaos, kjo periudhë e vështirë po shërbente si një moment rilindjeje dhe forcimi për kombin shqiptar.

Në fillim të bisedës, Kryeministri Majko shprehej se paralajmërimet e tij të mëparshme për një ofensivë serbe në Kosovë ishin bazuar në informacione të sigurta nga partnerët ndërkombëtarë, gjë që kishte diktuar nevojën për një unitet të palëkundur të faktorit politik shqiptar.

Ky unitet, sipas tij, ishte një nga arritjet më të mëdha në Rambuje, ku për herë të parë, delegacioni kosovar u paraqit i bashkuar, i mbështetur nga një politikë koherente e Tiranës.
“Ne dolëm në skakierën ndërkombëtare të plotë, të qartë, pse jo, të fortë,” u shpreh ai. Majko vlerësoi lart rolin e komunitetit ndërkombëtar, duke veçuar Shtetet e Bashkuara si arkitektin kryesor të përgjigjes ndaj agresionit serb. Ai përmendi gjithashtu kontributin e Selisë së Shenjtë, e cila me ndërhyrjen e saj, çmontoi propagandën serbe që përpiqej ta paraqiste konfliktin si një përplasje fetare. Për sa i përket takimit kontrovers mes Ibrahim Rugovës dhe Milosheviçit, Majko e konsideronte atë një lëvizje të orkestruar nga Beogradi për të “grisur të kaluarën” e kosovarëve.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua menaxhimit të krizës humanitare. Kryeministri përsëriti qëndrimin se dyert e Shqipërisë janë të hapura për të gjithë refugjatët kosovarë, duke e quajtur këtë një sfidë mbijetese. “Ne duhet të mbijetojmë. Një muaj mbijetesë sot kushton një shekull histori,” tha ai, duke konfirmuar se ndihma ndërkombëtare, përfshirë një kredi emergjence nga Banka Botërore, nuk do të mungojë. Ai theksonte se kjo krizë, në vend që të destabilizonte Shqipërinë, solli një unitet të paprecedentë, duke përfshirë edhe një bashkëpunim të heshtur por efektiv me opozitën në nivel vendor.

I pyetur për të ardhmen, Majko tregonte se Milosheviçi është “një kapitull i djegur i historisë ballkanike” dhe vendi i tij është në Gjykatën e Hagës.

Për sa i përket zgjidhjes afatgjatë, ai tregonte mundësinë si për një Kosovë të pavarur ashtu edhe për skenarë të tjerë, duke thënë se “do të bëhet më e mira” në konsultim me aleatët. Drita në fund të tunelit, sipas tij, është prania e NATO-s në Shqipëri, mbështetja ndërkombëtare dhe fakti që fëmijët e Kosovës po zbulojnë se atdheu i tyre shtrihet përtej kufijve të imponuar, duke forcuar kështu ndjenjën e përkatësisë kombëtare./dritare.net