Na ndiqni edhe në

Emisionet

Receta origjinale e Trungut të Shkodrës, hap pas hapi!

Receta origjinale e Trungut të Shkodrës, hap pas hapi!

Trungu i Shkodrës një ëmbëlsirë unike, pasi siç mësojmë te 'Pastiçeri Eagle' (Igëll), i përket një epoke tjetër, asaj të socializmit, por që i ka mbijetuar ndryshimeve sistemike falë mjeshtërisë. Pasi pandispanja është pjekur dhe ftohur, fillon procesi i përgatitjes së kremit. Mjeshtër Adi zbulon një sekret që e dallon këtë ëmbëlsirë nga shumë të tjera industriale, kremi bëhet vetëm me gjalpë të freskët dhe sheqer pluhur, pa asnjë shtesë tjetër, pa vezë dhe pa kremra të gatshëm. Por sekreti i vërtetë qëndron te sheqeri. Ai nuk blihet i gatshëm si pudër, pasi niseshteja ose lagështira e ambientit do ta prisnin kremin.

Sheqeri bluhet në moment në punishte, duke siguruar një teksturë perfekte që shkrihet me gjalpin.

Përzierja bëhet me dorë, një proces i domosdoshëm për të arritur homogjenitetin e duhur. Kremi ndahet në dy pjesë, i bardhë (natyral) dhe kaf (me kakao). Më pas vjen momenti magjik i montimit. Pandispanja lyhet me kujdes, rrotullohet për të formuar cilindrin karakteristik dhe lihet të 'pushojë' që forma të fiksohet. Në këtë moment ëmbëlsira merr emrin 'Trung'.

Pjesa më e bukur është dekorimi. Me anë të qeseve të pastiçerisë (dikur të qepura me copë nga rrobaqepësit, sot moderne), Adi vesh ëmbëlsirën me shirita kremi që imitojnë lëvoren e një druri të vjetër. Ky moment vizual të kujton dasmat e mëdha shkodrane dhe festat e fundvitit, ku Trungu ishte mbreti i tryezës.

Adi shpjegon edhe origjinën e emrit të pastiçerisë 'Igëll' – një shqipërim fonetik i fjalës 'Eagle' (Shqiponjë), por edhe një dedikim për djalin e familjes, Iglin, i cili studion në Amerikë.

Një familje që nisi biznesin me një makinë nga Turqia, rriti fëmijët me punën e ndershme të ëmbëlsirave, dhe sot mban gjallë një traditë që u mbijeton kohërave. Trungu, me shijen e pasur të gjalpit të pastër, mbetet një dëshmi se në Shkodër, edhe një copë ëmbëlsirë tregon historinë e një qyteti, të një familjeje dhe të një kombi që di të ruajë të bukurën./dritare.net