Na ndiqni edhe në

Emisionet

Shporta Shqip, urimi i Dritare 2026

Shporta Shqip, urimi i Dritare 2026

Rudina Xhunga e mbylli vitin në Dritare Tv me një tregim kushtuar Shportës Shqip. “Sepse unë besoj te Shporta Shqip” te bujqësia, blegtoria dhe prodhimi vendas, që mund të na shpëtojë në 2026-ën. Mund dhe të na fundosë, po e harruam, por unë dua të flas për lajme të mira. Besoj fort se e mira sjell të mirën. Duke i thënë faleminderit, duke treguar mirënjohje dhe duke kuptuar vlerën, jo vetëm çmimin e gjërave. Duke ia dhuruar njeri tjetrit çdo fundvit, i shtojmë vlerë Shportës Shqip. E bëjmë pjesë natyrale të festës.

Mua më erdhën shumë shporta nga Mrizi i Zanave, për gjithë stafin dhe bashkëpunëtorët e Dritare Televizion. Ishte një dhuratë fantastike, e bukur jo vetëm për përmbajtjen, por edhe vizualisht: një makinë e Mrizit, njerëz të veshur me uniformat e tij dhe brenda, shporta të përgatitura nga njerëzit e Mrizit, nga njerëzit e Fishtës dhe të Zadrimës, që prodhojnë dhe paketojnë me kujdes e dashuri.

Më besoni, nuk është vetëm një shportë. Ndjej gëzim kur dikush më dhuron një gjë shqiptare dhe mendoj për njeriun që e bëri. Kjo shportë reflekton punën dhe përkushtimin e shumë njerëzve.

Nëse e hap këtë shportë gjen verën “Ku ven” e cila nuk është thjesht një shishe, por ka emër, fytyrë, histori, logo dhe brand: Mrizi i Zanave. Punë të mëdha fshihen pas këtij produkti.

Pastaj vjen likeri Blackberry i Mrizit, art dhe paketim me vlerë. Çdo element i shportës tregon historinë e banorëve të Pukës, Zadrimës, Fishtës dhe Lezhës, që mbledhin dhe përgatitin çdo gjë me dorë. Djathi, verë, reçel, vaj ulliri, turshi, çdo produkt ka origjinën dhe tregimin e tij, duke ruajtur traditën dhe vlerën e punës.

Kjo shportë nuk është vetëm një dhuratë. Është një mësim për të kuptuar se vlera e prodhimit vendas është më e madhe se çmimi që shohim në market. Ajo na lidh me njerëzit, tokën dhe historinë tonë. Shporta shqip është rruga për të mbrojtur prodhimin vendas, për të mbështetur industrinë bujqësore dhe për të mbajtur njerëzit tanë këtu.

Çdo element i shportës, djathi, ulliri, portokalli, gështenjat, reçeli, përfshin punën dhe kujdesin e njerëzve që e prodhojnë. Përmes këtij tregimi, ne mësojmë të vlerësojmë dhe të tregojmë origjinën e produkteve tona. Shporta shqip është mënyra për të ruajtur traditën dhe për të krijuar zakon të mbështetjes së komunitetit tonë: një shportë në janar, një shportë në muajin tjetër, duke dhënë paratë direkt tek ata që e meritojnë dhe duke ruajtur vlerën e punës së tyre.

Ky besim te prodhimi vendas nuk është vetëm për ne, por për fëmijët tanë, për të ardhmen e vendit. Sakrificat nuk duhet të jenë të pafundme, por duhet të shërbejnë për të krijuar një sistem të qëndrueshëm. Siç bën Altini me Mrizin, duke çmuar çdo familje që prodhon dhe tregton shqip, edhe ne mund të adoptojmë një qytet apo fshat, të mbështesim prodhimin dhe të ruajmë lidhjen me tokën.

Shporta shqip na mëson të kuptojmë vlerën e asaj që bëjmë, të tregojmë origjinën dhe të respektojmë punën e të tjerëve. Është mënyra për të pastruar, besuar dhe për të mbajtur tokën tonë të gjallë. Në 2026, shporta shqip, na ushqeftë dhe na mbajttë këtu, në tokën tonë.

Gëzuar 2026, për bujqësinë, tokën, natyrën dhe gjithçka tonën. Gëzuar me Shportën Shqip!/ dritare.net