Si ma vrau xhaxhanë Xhafer Deva, më 4 shkurt! Flet nipi Betim Çiço!
Dritare.net

Në një intervistë për Dritare TV, Betim Çiço ka rrëfyer historinë e familjes së tij, duke folur për vrasjen e xhaxhait, profesor Sitki Çiço, gjatë ngjarjeve tragjike të 4 Shkurtit 1944 në Tiranë, një nga episodet më të errëta të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Sipas tij, Sitki Çiço ishte një intelektual i shquar, i diplomuar në Politeknikun e Torinos, i cili kishte refuzuar mundësi karriere jashtë vendit për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të shërbyer si mësues.
“Ai ishte student absolut në matematikë në Torino, me nota maksimale. Kishte mundësi të qëndronte në Itali, por u kthye në Shqipëri për të dhënë mësim,” u shpreh Betim Çiço.
Duke iu referuar natës së 4 Shkurtit 1944, Betim Çiço tha se xhaxhai i tij u arrestua dhe u zhduk pa lënë gjurmë gjatë operacionit të dhunshëm të forcave të rendit të kohës, në një periudhë kur ministri i Brendshëm ishte Xhafer Deva.
“Natën e 4 Shkurtit 1944 e morën nga shtëpia, me pizhama. Që nga ajo natë, nuk u kthye më. Trupi i tij nuk është gjetur kurrë,” tha ai.
Sipas Çiços, familja e tyre nuk kishte angazhim politik dhe Sitki Çiço ishte i përkushtuar vetëm ndaj arsimit dhe dijes.
“Ai nuk ishte politikan. Ishte mësues. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por të vërtetën. Historia duhet thënë ashtu siç ka ndodhur,” shtoi ai.
Duke folur për përgjegjësitë historike, Betim Çiço theksoi se ngjarjet e 4 Shkurtit nuk duhet të relativizohen apo të përdoren për përplasje politike.
“Ajo që ndodhi atë natë ndodhi nën një strukturë shtetërore konkrete, me drejtues konkretë. Kjo duhet pranuar, jo për urrejtje, por për kujtesë,” — u shpreh ai./K/C/dritare.net