
Një prej lajmeve më të rëndësishme për gjuhën shqipe vjen nga Akademia e Shkencave: pas disa dekadash, është përfunduar Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, një vepër që përmban 105.000 fjalë dhe 125.000 njësi të barasvlershme me fjalët, sipas akademikut Valter Memisha, zëvendës kryeredaktor i fjalorit.
“Fjala polisemantizohet dhe gjuha shqipe është një gjuhë polisemike; një fjalë mund të shënojë shumë nocione, objekte dhe fenomene të ndryshme, tha Memisha gjatë intervistës në emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTV. Ai e përshkroi punën si një vepër gjigante, duke shtuar: “105.000 fjalë, plus 12.500 njësi frazologjike dhe 3.500 emra, mbiemra dhe njësi të tjera, përbëjnë gjithsej 125.000 njësi.”
Memisha theksoi rëndësinë e adaptimit të fjalëve të huaja në strukturën e shqipes: “Fjalët e huaja si download, skaner apo Facebook janë futur sipas strukturës morfologjike të shqipes. Për shembull, nga folja skaner kemi krijuar skanoj, i skanuar, i paskanuar, skanueshmëri, dhe kështu me radhë.” Ai shtoi: “Në fjalor janë futur edhe akronime të përdorura në media dhe administratë, si SPAK, KLP, TVSH, për të pasqyruar gjuhën e përditshme.”
Sipas Memishës, fjalori është mbarëkombëtar, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetet arbëreshe në Itali. “Ky fjalor nuk është vetëm për Shqipërinë, por për gjithë shqiptarët. Bashkëpunimi me studiuesit e Kosovës ka qenë shumë i mirë, tha ai. Për shembull, studiues si Naim Berisha, Abdurrahim Maxhuni dhe Sejdi Gashi kanë kontribuar në përfaqësimin e leksikut të Kosovës. Ndërsa për Arbëreshët, Memisha përmendi: “Kemi përzgjedhur 4.000 fjalë nga vepra e Skutarit dhe e Emanuel Xhordanës, që do plotësohen edhe më tej.”
Fjalori ka kaluar në një proces elektronik të përpunimit, duke përdorur korpus elektronik me mbi 1 miliard njësi nga më shumë se 40 fjalorë. Memisha shpjegoi: “U krijua një korpus që përfshin materialet e gjithë letërsisë shqipe, përfshirë veprat e Ismail Kadaresë dhe Rexhepit, për të përfaqësuar pasurinë leksikore të gjuhës sonë.”
Për kostot e punës, Memisha tha: “Fjalori ka kushtuar deri tani rreth 500-600 milion lekë të vjetër. Një vepër e tillë kërkon staf të madh dhe përkushtim shumëvjeçar.” Ai përmendi edhe rolin kyç të akademikëve dhe hartuesve: “Jani Thomaji, në moshën 91 vjeç, ka qenë kryeredaktor dhe ka hartuar 12.500 njësi frazeologjike. Shezai Rokaj ka redaktuar gjysmën e fjalorit, ndërsa unë kam qenë zëvendës kryeredaktor. Janë 50 persona që kanë kontribuar direkt në hartimin e kësaj vepre.”
Në lidhje me përfaqësimin dialektor, Memisha theksoi: “Fjalori ka rritur ndjeshëm bazën dialektore, duke përfshirë të gjithë trojet shqiptare.”
Ky fjalor, sipas Memishës, është një vepër e hapur dhe e gjallë. “Do të bëhen plotësime dhe saktësime të vazhdueshme, deri sa fjalori të përfaqësojë në mënyrë të saktë gjuhën shqipe për brezat e ardhshëm,” tha ai.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është, sipas akademikut Memisha, një arritje e jashtëzakonshme për pasurinë gjuhësore, që do të shërbejë për arsim, ligj dhe kulturë, duke vendosur një standard të ri në historinë e shqipes./K.C/dritare.net
