Na ndiqni edhe në

Moti

Evropa në alarm të kuq. Vala e të nxehtit zhvendoset drejt lindjes. Ja vendet e rrezikuara!


Evropa po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që prej disa ditësh ka përfshirë Spanjën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa tani parashikohet të zhvendoset drejt lindjes së kontinentit, duke rritur rrezikun për vende si Gjermania dhe Republika Çeke.

Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se temperaturat në Gjermani mund të arrijnë deri në 40°C në disa zona perëndimore dhe jugperëndimore, ndërsa të enjten dhe të premten i gjithë vendi mund të përballet me kushte ekstreme. Edhe Republika Çeke ka vendosur paralajmërim për mot të rrezikshëm në pjesën më të madhe të territorit.

Në Francë, situata është përshkallëzuar më tej, ku qeveria ka ngritur nivelin e alarmit shëndetësor në maksimum, me qëllim forcimin e shërbimeve spitalore dhe mbrojtjen e personave më të rrezikuar. Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se janë regjistruar edhe raste vdekjesh të lidhura me temperaturat ekstreme, përfshirë edhe persona të rinj që kanë pësuar arrest kardiak, si dhe të moshuar.

Ekspertët e klimës në Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se kjo valë e të nxehtit është një tjetër shenjë e qartë e ndikimit të ndryshimeve klimatike në Evropë, e cila po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale.

Ndërkohë, në disa rajone të Francës janë regjistruar temperatura rekord, ndërsa sistemi shëndetësor është vënë nën presion të madh. Në Paris, shërbimet e emergjencës kanë raportuar një rritje të ndjeshme të rasteve të arrestimeve kardiake, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Situata është shtrirë edhe në vende të tjera të Evropës. Në Spanjë janë raportuar qindra vdekje të mundshme të lidhura me të nxehtin, ndërsa në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Austri janë vendosur paralajmërime të nivelit të lartë, me temperatura që në disa zona pritet të kalojnë 40°C.

Autoritetet evropiane po përballen gjithashtu me pasoja të drejtpërdrejta në infrastrukturë dhe jetën e përditshme, përfshirë anulimin e eventeve publike, kufizime në transport dhe mbyllje të përkohshme të disa institucioneve. Sipas meteorologëve, situata pritet të mbetet e rëndë edhe në ditët në vijim, sidomos në Evropën Qendrore dhe Lindore./dritare.net