Gjyqi në GJKKO! Kryemadhi: Provat nga celulari im janë të pavlefshme
Dritare.net

Edhe mbrojtja e Monika Kryemadhit paraqiti kërkesat paraprake në GJKKO, duke kundërshtuar një pjesë të provave të administruara nga SPAK. Avokatët kërkuan shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së provave të nxjerra nga telefoni i Kryemadhit. Kjo e fundit tha se SPAK pretendon se telefoni nuk është i saj, por i nënës Fatime Kryemadhi. Ish-deputetja shtoi me ironi që atëherë të vijë dhe të japë llogari nëna e saj për mesazhet me Vali Bizhgen, Albana Shtyllën, Engjëll Agaçin etj.
Kryemadhi insistoi se SPAK nuk mund të ushtronte kontrolle në banesën ku ajo jetonte me të emën, pasi ishte deputete.
Redi Llanaj, avokat i Kryemadhit: 3 herë SPAK tha se nuk ka korrupsion me biznesmenin për çështjen e banesës, por sqaroi se ka marrëdhënie korruptive. Marrëdhënia miqësore konsiderohet nga organi procedues marrëdhënie korruptive. Sqarojmë se të pandehurit e kanë pranuar edhe vetë që kanë miqësi, marrëdhënie njohjeje të hershme miqësore. Janë lënë disa detyra nga gjyqtari i seancës paraprake për moskoherencën e hetimit. Mendoj se nuk janë gabime, por paragjykime. Ligjërisht, kërkesa është shkruar nga 3 prokurorë; de facto është vetëm një prokuror, Altin Dumani. Drejtues ishte edhe Arben Kraja, por Arben Kraja është Arben Kraja, nuk u përdor si vegël.
Ndërhyn gjykata për prishje të solemnitetit dhe shkelje etike.
Llanaj: "Vegël" s'është gjuhë fyese, është instrument, nënkupton një instrument. Është e qartë, këtu ka një çështje politike, ndaj mbrojtësi përdori fjalën "vegël". Kemi qenë, që nga fillimi i procedimit, të gatshëm. Kemi kontestim për aktet dhe pajisjet elektronike të gjetura në banesën e Kryemadhit. Është ushtruar kontroll dhe janë gjetur 6 telefona, ndërsa për 1 telefon është thënë se është i Kryemadhit.
U mor ky telefon, u ekstraktuan të dhënat dhe u nxorën ato materiale që janë pjesë e procedimit, duke i nxjerrë nga konteksti të dhënat. Kërkojmë papërdorshmërinë absolute të të gjitha të dhënave të ekstraktuara nga telefoni i Kryemadhit. Të bëhet një ekspertim dhe të bëhet krahasim me materialet që janë nxjerrë nga konteksti.
Kryemadhi: Doja të filloja me një kërkesë paraprake për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e të dhënave të telefonit. Kam bërë kërkesë, por ma kanë rrëzuar kërkesën për kthimin e sendeve dhe të telefonit. Gjyqtari e ka rrëzuar kërkesën me argumentin se telefoni nuk është i imi. Kështu e ka rrëzuar edhe Apeli.
Dhe prokuroria pretendonte se nuk është i imi, sepse është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Në momentin kur telefoni u ekspertua, në vitin 2023, unë isha deputete dhe organi i akuzës nuk mund të vinte për të bërë kontroll.
Organi i akuzës e dinte shumë mirë që jetonim në një shtëpi. E di shumë mirë që kontrolloi dhomën time të gjumit, edhe pse në hipotekë ishte e Fatimes. Në këto vendime thuhet se telefoni nuk është i imi, ndërsa 190 faqe të akuzës bazohen në këto mesazhe. Nëse është i Fatime Kryemadhit, të vijë ajo të sqarojë mesazhet me Vali Bizhgen, Albana Shtyllën, Engjëll Agaçin etj.