Biologët e huaj: Shpellat e Shqipërisë kanë ar!
Dritare.net
Në shpellat e Shqipërisë ka ar. Kështu thonë biologët Serban Sarbu dhe Jean-François, të cilët prej vitesh studiojnë shpellat e squfurit përgjatë Vjosës. Nga të gjitha shpellat me squfur që kemi parë në botë, thonë biologët, këto në vendin tonë janë spektakolare, sepse janë zbuluar mikroorganizma, insekte që nuk janë parë nëpër shpellat e tjera në botë. Ndaj thonë biologët, këto pasuri që janë nëntokë duhet të mbrohen, zbulohen dhe mund t’i sjellin vendit shumë përfitime financiare.
“Nga të gjitha shpellat me squfur që kam parë në botë, këto këtu janë spektakolare. Unë dhe Serban kemi parë çdo shpellë me squfur në Evropë. E nisëm me Italinë, kemi punuar edhe në territorin e Detit të Zi, në rajonin e Rumanisë. Atje zbuluam disa shpella që janë afër Larisës, në Greqi. Janë interesante. Por shpellat këtu janë në një nivel të lartë, përsa i përket biodiversitetit. Vitin e fundit kam qenë 4-5 herë në këto shpella. Sa herë që shkojmë zbulojmë gjëra të reja, sepse ka shumë gjëra për të parë përreth. Kjo është e pabesueshme. Zbulimi më i bukur në shpellat e Shqipërisë, është peizazhi nëntokësor. Është një vend unik në botë. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me shkencëtarë vendas. Ideja është të gjejmë molekula të reja nga bakteret që rriten këtu. Pra çelësi i shëndetit të njeriut mund të jetë fshehur në këto shpella. Kjo do sjellë përfitime për studiuesit shqiptarë, edhe për ekonominë e Shqipërisë. Nuk ka kuptim që t’i marrim ne edhe t’i çojmë në SHBA apo Belgjikë. Jo, ato janë pjesë e pasurive të panjohura të Shqipërisë. Ne e kemi parë peizazhin dhe natyrën e bukur që ka Shqipëria. Por nëntokë ka shumë pasuri që duhet të mbrohen, zbulohen dhe mund t’i sjellin vendit shumë përfitime financiare.
Në këtë peizazh gjeologjik është edhe një shpellë tjetër, Shpella e Breshkës dhe është afër asaj të squfurit. Ka biologji të njëjtë me shpellën e squfurit. Sapo hyni brenda, jeni në majë të një mali të vogël, të bardhë. Është si një grumbull i madh rëre. Ndërsa ecni do ju duket sikur jeni në Hënë. Në fund të saj është një liqen me ngjyrë blu dhe mbi të janë disa shenja rrethore si pasojë e reaksionit gjeokimik të squfurt. Pamje që të merr mendjen. Do të doja të isha artist, të ulesha në një cep dhe ta pikturoja.”, thotë biologu në DritareTV./K.C/dritare.net