Çelësi për të shpëtuar njerëzit nga bakteret fshihet në shpella!
Dritare.net
Biologët e huaj Serban Sarbu dhe Jean-François prej vitesh kërkojnë dhe zbulojnë thesaret që fshihen në shpellat shqiptare. Eksperienca e fundit qe e jashtëzakonshme, kur kalonin lumin për të shkuar në shpellat e squfurit e Përmetit dhe ktheheshin po me not në Konicën e Greqisë, që të mos vonoheshin në kufi. Ajo që ata zbuluan në këto shpella është e jashtëzakonshme. Mikroorganizma, baktere të cilat mund të shpëtojnë jetën njerëzish, pasi nga studimi i tyre do të krijohen antibiotikë që do t’i luftojnë këto baktere nëse hyjnë në trupin e njeriut. Kështu thotë profesori Jean François, në një emision të jashtëzakonshëm në DritareTV.
“Nga të gjitha shpellat me squfur që kam parë në botë, këto në Shqipëri janë spektakolare. Vitin e fundit kam qenë 4-5 herë në këto shpella. Sa herë që shkojmë zbulojmë gjëra të reja, sepse ka shumë gjëra për të parë përreth. Çdo herë që kthehemi zbulojmë lloje të reja bakteresh, kafshë të reja. Kjo është e pabesueshme. I gjithë ky biodiversitet ka ndikim shumë të rëndësishëm për njerëzimin sepse ato përmbajnë gjene që mund të jenë të dobishme për njerëzit. Në Belgjikë, profesionistët punojnë në shpella duke izoluar bakteret që grumbullohen në të gjithë shpellën dhe ata gjejnë antibiotikë.
Këto shpella janë burim shumë i mirë i antibiotikëve për të luftuar sëmundjet. Por shpellat në Shqipëri janë krejtësisht ndryshe. Unë shpresoj të bëj sekuenca të gjenomit të baktereve. Ndoshta do të gjejmë gjene që mund të përdoren për të krijuar antibiotikë të rinj dhe të shpëtojmë njerëzit. Pra çelësi i shëndetit të njeriut mund të jetë fshehur në këto shpella.
Po ashtu është me rëndësi për ekonominë. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me shkencëtarë vendas. Ne do takohemi me mikrobiologë nga Universiteti i Tiranës. Ideja është të gjejmë molekula të reja nga bakteret që rriten këtu. Kjo do sjellë përfitime për studiuesit shqiptarë, edhe për ekonominë e Shqipërisë. Nuk ka kuptim që t’i marrim ne edhe t’i çojmë në SHBA apo Belgjikë. Jo, ato janë pjesë e pasurive të panjohura të Shqipërisë. Ne e kemi parë peizazhin dhe natyrën e bukur që ka Shqipëria. Por nëntokë ka shumë pasuri që duhet të mbrohen, zbulohen dhe mund t’i sjellin vendit shumë përfitime financiare.”, thotë shkencëtari në DritareTV./K.C/dritare.net