Shqipëria në vjeshtë dhe Skrapari që nuk njihni!
Dritare.net
Një pamje idilike të pret kur të vesh në Çorovodë, mbase këtë vjeshtë. Në këtë kohë Çorovoda është e mbushur plot me turistë. Në vjeshtë, kur nuk ka shumë ujë lumi Osum, turistët bëjnë ecje buzë lumit. Parapërfytyro veten teksa ecën buzë lumit, me zhurmën e ujit që rrjedh, me aromën e bimëve që të rrethon dhe erën që të merr flokët dhe shpirtin. Dhe pastaj ti ulesh dhe bën piknik te zalli i lumit, i cili është jo vetëm një nga lumenjtë më të bukur që ka Shqipëria, por edhe nga më të vizituarit. Kurdo që shkon e ke plot me turistë, të cilët janë kryesisht të huaj se e kanë kuptuar përpara nesh çfarë pasurie kemi. Ulen, bëjnë piknik dhe një selfie për të treguar mrekullinë ku kanë shkuar.
Kjo është fotografia më e bukur që mund të shohësh në një ditë vjeshte.
Fotografia e Shqipërisë së vjeshtës, të jep kënaqësinë e të ndierit mirë në vendit tënd.
Ne nuk ia kemi ditur vlerën dhe kimetin, jo se nuk dimë, por kemi qenë me të zënë duke kërkuar mbijetesën. Por çfarë fati, sot ajo që kemi po kthehet edhe në një biznes. Tani që është biznes ne duhet të shtojmë forcat për ta bërë 100 herë më të bukur, ama pa e prishur, se ajo pamje nuk ka lekë ta blesh. Që nga tunelet e Pirogoshit, Ura e Kasabashit, shpella e Pirogoshit, te Kanionet e Osumit, Gjurma e Abaz Aliut, Mulliri i Babait, Tunelet e ish-Thesarit të Shtetit, Vrima e Nuses, Tyrbja e Abaz Aliut, çfarë nuk ka në Çorovodë, vetëm presin që ju t'i zbuloni.
Po ashtu, në thellësitë e maleve të Skraparit, mes peizazheve mahnitëse dhe historisë së lashtë, gjendet një fshat i vogël me histori të madhe, Zabërzani. Në këtë copëz toke të bekuar banorët e Zabërzanit vazhdojnë një traditë mijëravjeçare. Rakia që nxirret në Zabërzan është ndryshe, si vetë toka dhe njerëzit që jetojnë këtu.
Në vjeshtë, Zabërzani vishet me një bukuri të papërshkrueshme. Pyjet përreth fshatit shndërrohen në një mozaik ngjyrash. Mjegulla e mëngjesit mbulon luginën, duke i dhënë fshatit një pamje gati mistike. Në oborret e shtëpive të gurta, të vjetra sa vetë historia e fshatit, gratë dhe burrat bashkohen në një ritual pothuajse të shenjtë. Në oborret e shtëpive të gurta, të vjetra sa vetë historia e fshatit, gratë dhe burrat bashkohen në një ritual pothuajse të shenjtë. Rrushi shtypet me këmbë në govata druri, një praktikë që ka rezistuar kohës dhe teknologjisë moderne. Burrat qëndrojnë zgjuar natë pas nate, duke vëzhguar me kujdes çdo pikë raki që rrjedh kur vjen koha e zierjes.
Rakia e Zabërzanit nuk është thjesht një pije alkoolike. Ajo është më shumë se kaq. Është një ritual, një pjesë e identitetit të këtij fshati. Çdo gotë që derdhet, fsheh kujtimet e mbledhura të vreshtave, punën e përditshme të njerëzve që e kultivojnë dhe dashurinë që ata kanë për këtë tokë. Të largohesh nga Zaberzani pa provuar rakinë e tij është si të ikësh pa marrë një pjesë të shpirtit të këtij fshati.
Skrapari, një vend i mbushur me histori e legjenda, një qytet fisnik që deri më sot, nuk e ka marrë ende mbrapsht, atë që ofron. E tani, është koha t’i kthehet, duke e vizituar, treguar e promovuar.
Ndiqeni tek linku më poshtë emisionin e plotë të realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga!/dritare.net